Është caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg”, për presidentin e klubit “Iliria” Nazmi Selmani, i cili akuzohet se ka kërcënuar me jetë presidentin e FSHF, Armand Duka.
E njëjta masë sigurie u caktua nga Gjykata e Durrësit edhe për Petrit Selmanin, ndërsa për Brajan Selmani, Redian Loci dhe Santiago Selmani u caktua masë më e butë, ajo e “detyrim paraqitje”.
Nazmi Selmani së bashku me tre djemtë e tij më 30 gusht 2024 kërcënuan me anë të një mesazhi në telefon, presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Po ashtu, ata i shkuan në shtëpinë e tij duke e kërcënuar se do ta dhunonin. Motivi ka të bëjë me mosgrumbullimin në Kombëtare të Gentian Selmanit (djali tjetër i Nazmiut), i cili është portieri i Tiranës.