Ish-kryeministri Sali Berisha vijon të jetë në arrest shtëpie, që prej 30 dhjetorit të vitit 2023.
Megjithatë, duket se për familjen Berisha, problemet me drejtësinë sapo kanë filluar. Sipas asaj që gazetari Ermal Vija ka deklaruar, SPAK ka nisur hetimet për fondacionin e Liri Berishës, bashkëshortes së kryetarit të PD-së.
Sipas gazetarit, SPAK po heton edhe fondet dhe pasuritë e paluajtshme të Fondacionit për Fëmijët Shqiptarë, organizatës joqeveritare të themeluar nga Liri Berisha.
“Bëhet fjalë për hetimin pasuror të nisur ndaj Sali Berishës për akuzën e korrupsionin. Hetimet kanë vijuar në rrethin familjar, siç është bashkëshortja e tij Liri Berisha. Hetuesit janë duke kryer verifikime për mënyrën si është ngritur fondacion dhe transaksionet. Janë marrë në pyetje një sërë personash që janë thirrur nga Prokuroria e Posaçme. Përveç hetimit penal ndaj Sali Berishës, ka nisur hetimin pasuror ndaj tij dhe familjarëve të ish-kryeministrit. Nën verifikim është fondacioni i themeluar nga Liri Berisha që i vjen në ndihmë fëmijëve në nevojë.”, u shpreh gazetari Vija për abcnews.