BalkanWeb zbardhi një ditë më parë shkresën e firmosur nga kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, për t’i ndryshuar vendin Lulzim Bashës në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Sot, kreu i demokratëve euroatlantikë, Lulzim Basha reagoi gjatë një konference me gazetarët, duke shpjeguar pse sipas tij iu lëviz karrigia nga vendi ku ulej prej vitesh, duke shkuar disa rreshta më poshtë në Kuvend.
“Karrigia ka qenë motivi dhe frymëzimi i tyre prej fillimit. Kjo ka qenë edhe arsyeja e “divorcit””, përmendi Basha.
Me tone të forta, Basha sulmoi Gazment Bardhin dhe grupin e tij se darkave ngrenë dolli për fundin politik të Sali Berishës, ndërsa ditën i servilosen kryedemokratit.
“Ditën i kapin komplekset e natës, natën pasi vërshon Whisky ngrenë dolli për fundin biologjik dhe politik të Sali Berishës, ditën bëjnë gjeste servilizmi për t’i demonstruar besnikëri në funksion të karriges. Ky është vazhdim i mjerimit të tyre dhe do të vazhdojë të thellohet me sukses të plotë deri në fundin e merituar”, theksoi Basha.
Pjesë nga deklarata e Bashës
“Në këtë nivel të mjerueshëm ka rënë niveli i debatit politik, s’është as debat politik por debat për karrigen është e qartë që ka qenë motivi dhe frymëzimi i tyre prej fillimit. Është arsyeja madhore e divorcit, sepse ne këtë betejë nuk e për karrige, por që mëshironte pritshmërinë e qytetarëve shqiptarëve për ndryshim. S’ka asgjë impresionuese, vazhdon sindroma për karrige, kjo do të përforcohet edhe më shumë sepse ata që sot i thonë PD-së që përbëhet nga dy grupe, grupi i parë Berisha më tijët që e përdorën këtë betejë për ta përdorur PD si bunker për të mbrojtur veten dhe familjen nga SPAK në pazar me Ramën, dhe janë një grup tjetër që për karrige e nisën dhe për karrige e vazhdojnë.
Ditën i kapin komplekset e natës, natën pasi vërshon Whisky ngrenë dolli për fundin biologjik dhe politik të Sali Berishës, ditën bëjnë gjeste servilizmi për t’i demonstruar besnikëri në funksion të karriges, se duan karrigen tani dhe karrigen më pas.
Është vazhdim i mjerimit të tyre dhe do të vazhdojë të thellohet me sukses të plotë deri në fundin e merituar të tyre.
Gazetarët: A do ta pranoni karrigen e re?
Lulzim Basha: Kemi ndarjen botëkuptimore me gjithë këta njerëz. Çdo hap që kam ndërmarr, nuk bëhet për karrige, të ishte për karrige i kishim vendosur drynin kësaj pune. Ata që më akuzonin mua për të shitur të Edi Ramës, ishin vetë të shitur të Ramës nga Sali Berisha me shokë.