Një aksident ku është përfshirë një automjet ushtarak ka ndodhur në aksin rrugor “Lezhë-Shkodër”, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Dajçit”.

Mësohet se automjeti i Repartit Ushtarak Vau i Dejës, është përplasur me automjetin autobot.

Nga aksidenti janë dëmtuar disa persona të cilët ishin ushtarakë dhe po shkonin në drejtim të Mirditës, për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.

Njoftimi:

Lezhë/Informacion paraprak

Rreth orës 05:30, në aksin rrugor “Lezhë-Shkodër”, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Dajçit”, automjeti i Repartit Ushtarak Vau i Dejës, me drejtues shtetasin B. N., është përplasur me automjetin autobot, me drejtues shtetasin N. P.

Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar shtetasit Gj. H., 33 vjeç, R. D., 57 vjeçe, E. Q., 23 vjeç, J. B., 28 vjeç, D. L., 29 vjeç dhe D. K., 27 vjeç, banues në Shkodër (ushtarakë), pasagjerë në automjetin që drejtonte shtetas B. N., të cilët janë dërguar në spital, për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.

Automjeti i Repartit Ushtarak ishte nisur në drejtim të Mirditës, për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.

Grupi hetimor në vendngjarje po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.