Nga Florian Bjanku
Me të drejtë po diskutohet çështja e shpopullimit sipas rezultateve të shpallura të Cens-it. Situata vërtetë duket alarmante nisur nga fakti që jemi një vend i vogël ku pas disa dekadash po rrezikohet edhe ekzistenca e popullatës autoktone shqiptare në këto troje.
Nga ana tjetër, shtrohet çështja se çfarë i mbante deri në momentin që ikën dhe çfarë po i mban shqiptarët që po rrinë akoma në këtë vend. A mjafton vetëm ushqimi me ndjenja atdhetare…apo edhe ky ushqim po mungon perderisa shqiptarët ndër vite akuzojnë njëri tjetrin për vjedhje, shitje të interesave kombëtare, shkatërrim, korrupsion etj.
A duhet që shqiptarët të sakrifikohen brez pas brezi për këtë vend, dhe a mjafton urata që gjithmonë brezi i vjetër ka për brezin më të ri që të paktën atyre t’i mundësohej ta shohin Shqipërinë e bërë, pasi ata nuk e arritën asnjëherë.
A mjafton një flamur i valvitur në kulmin e shtëpisë për të qendruar në një fshat apo qytet që nuk ofron as shërbimet jetike?!
A duhet qendruar dhe luftuar me njëri tjetrin deri sa të fitojë shqiptari i mirë, po sikur të fitojë përsëri i keqi nisur nga eksperienca që ka, pasi thuajse gjithmonë e ka bërë në këtë vend?!
A kishte vend për të gjithë?
Nëse kishte, pse nuk ishin të mjaftueshme të ardhurat, kujdesi shëndetësor, rrugët, shkollat, drejtësia, rendi për ta?!
Së fundi, shtrohet çështja a kemi një Shqipëri më të mirë apo më të keqe me këtë shpopullim të deritanishëm?
Me ikjen e një pjese të shqiptarëve ajo që duket lehtësisht është që shoqëria shqiptare është më pak agresive, në dukje ka më qetësi dhe turistët ndihen të sigurtë, por nga ana tjetër nuk ka presion që kërkon ndryshimin dhe kjo shihet në mënyrën se si dhe për çfarë protestohet…
Për të rinjët vërtetë ka më shumë vende pune për kamarierë dhe zanate, por ka më pak entuziazëm dhe mundësi për karrierë tē merituar.
Vërtetë ka shumë më tepër mundësi për të studiuar, por ka më pak interes dhe cilësi.
Ka më shumë pallate që po ndërtohen në qendrat e qyteteve kryesore, por gjithsesi më pak banorë.
Ka më shumë turistë, por shumë më pak bagëti dhe bimë të kultivuara (përveç një varieteti).
Ka më tepër të sëmurë dhe më pak personel shëndetësor.
Për fund, jo vetëm në fshatra, ka më pak dele dhe ka më shumë ujq…