Situata ka dalë jashtë kontrollit. Në këtë zonë në fshatin Mjedë, në afërsi të “Urës së Spatharit”, territori është kthyer në një shesh inertesh.
Banorët jashtë kameras thonë se ndotjen e shkaktojnë persona dhe subjekte të zonave përreth që kryjnë punime në banesa, ndërsa mbetjet e ngurta i depozitojnë në këtë shesh. Kjo situatë është e papranueshme dhe se mbetje të tilla duhen hedhur në zonat e përcaktuara. Ndaj është i nevojshëm ndërgjegjësimi i subjekteve, për të mos i hedhur këto mbetje në natyrë, të cilat mund të jenë edhe të rrezikshëm, pasi demi dhe kostoja financiare është disa fish më i madh dhe me impakt në xhepat e të gjithë qytetarëve.
Hedhja e tyre u ndalua disa vite më parë, madje ishte vetë Bashkia e Vau Dejësit që e pastroi territorin në fjalë.
Mirëpo, realiteti në pamje flet ndryshe. Mbetjet inerte hidhen në mënyrë sporadike në venddepozitimet e paligjshme të krijuara në Shqipëri që prej viteve 90-të. Brigjet e lumenjve janë zonat ku ky problem ndeshet më shpesh. Ekspertët e mjedisit kanë ngritur me dhjetëra herë zërin për dëmin që i shkaktohet mjedisit dhe kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme.