Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho ka mbajtur ditën e sotme një konferencë për mediat, para nisjes së grumbullimit për ndeshjet e Nations League.
Tekniku brazilian ka shpjeguar listën e lojtarëve të grumbulluar për takimet me Ukrainën dhe Gjeorgjinë, teksa ka dhënë dhe argumentat për lënien jashtë të lojtarëve të talentuar si Armando Broja dhe Ernset Muçi.
“Broja nuk është në listë, është jashtë. Ne pritëm deri në fund, edhe dje ishim në konsultime me klubin. Ai ka patur një problem me tendinën e Akilit, do të nisë një trajtim. Më vjen keq për të i uroj shërim të shpejtë. 10-15 ditët e ardhshme nuk do të jetë gati për Kombëtaren. Në vend të Brojës kemi zgjedhur Uzunin. Ne nuk kemi një lojtarë që luan me të majtën, lista jonë është shumë e madhe. Këtë herë zgjodhëm Zekën pasi me këmbën e majtë është vetëm Asani dhe Muçolli që është i dëmtuar për momentin. Kështu që Muçi nuk ishte për këtë arsye në këtë grumbullim, por ai është lojtarë shumë I rëndësishëm për kombëtaren dhe do të jetë në vazhdim.”– tha Sylvinho.
Tekniku i kuqezinjve foli për arsyet se pse ka zgjedhur të lë jashtë grumbullimit portierin Etrit Berisha.
“Berisha për momentin është pa një skuadër dhe nuk është në formën e tij më të mirë për të luajtur. Kjo është arsyeja e lënies jashtë të tij”- tha ai.
Para gazetarëve, Sylvinho theksoi se duhet përkushtim në skuadër dhe të gjithë po punojnë për të marrë rezultat pozitiv në përballjet e radhës.
“Nations League është një kompeticion i rëndësishëm dhe do të na japë një dorë për Botërorin. Çekia, Ukraina dhe Gjeorgjia janë të forta dhe kjo do të tregojë se çfarë jemi të aftë të bëjmë. Zeka dhe Spahiu janë ftuar për herë të parë. Nuk do të bëjmë eksperimente. Ne futemi në fushë me shpirt dhe me zemër. Duhet të punojmë vazhdimisht me skeduarën, ne do të futemi në fushë me zemër për të përfaqësuar vendin dhe kombin”, tha ai.