Për dy muaj me radhë, korrikun dhe gushtin, koncertet e verës të organizuara nga Bashkia Shkodër sollën atmosferë dhe mbushën sheshet kryesore të Shkodrës dhe Velipojës me qindra qytetarë që i ndoqën ato nga afër. Në mënyrë të veçantë, fundjavat morën nuanca festive gjatë gjithë verës në kryeqendrën e veriut. Artistë të shumtë nga Shqipëria dhe Kosova i dhanë ngjyra fundjavave të vendasve dhe turistëve në Shkodër.
“Ka qenë një verë plot me koncerte. Ato kanë patur mbështetjen e bashkisë në të gjitha aspektet”, tha drejtoresha e Kulturës në Bashkinë Shkodër, Sara Smaja.
Duke nisur nga muaji shtator e në vazhdim, kalendari vijon me të tjera aktivitete kulturore duke ndikuar në rritjen e interesit të atyre që frekuentojnë mjediset kulturore të qytetit.
“Po përgatitemi për një sezon po aq të ngarkuar që do vijojë me shumë aktivitete kulturore”, u shpreh Smaja.
Përgjatë verës, Shkodra u vizitua nga turistë të shumtë dhe veç interesit për objektet e trashëgimisë kulturore, pjesë esenciale e saj mbetet padyshim pasuria shpirtërore që ofron qyteti i kulturës.