Një ditë pas ekzekutimit të 36-vjeçarit, Elis Rroshkodoli në Shkodër, nuk ka asnjë gjurmë nga autorët e krimit. Grupi hetimor dyshon se ekzekutorët janë vrasës me pagesë dhe se pas vrasjes fshihen porositës të tjerë. Rroshkodoli, një person me precedent të mëparshëm kriminal, u vra më 30 gusht me breshëri plumbash teksa ishte ulur në një lokal.
Burime nga grupi hetimor i thanë Report Tv se në momentin kur është qëlluar 36-vjeçari, në lokal kanë qenë edhe 3 persona të tjerë, pronari i lokalit dhe dy klientë. Një nga personat e marrë në pyetje ka deklaruar se 36-vjeçari ka qenë vetëm në momentin kur është qëlluar.
Nga dëshmia e personave të marrë në pyetje është zbardhur edhe dinamika e ngjarjes. Sipas dëshmive, autori i maskuar ka mbërritur me një Ben ngjyrë gri, ka ndaluar para lokalit dhe ka qëlluar me breshëri plumbash ndaj të riut. Viktima ka marrë 14 plumba në trup nga 18 gëzhoja që janë gjetur në vendin e ngjarjes.
Lokali ku ndodhi vrasja mësohet se nuk ka kamera sigurie, gjë e cila e vështirëson më shumë punën për policinë. Efektivët kanë mbledhur kamera të tjera për të gjetur lëvizjet e automjetit, por makina me të cilën u krye vrasja humb gjurmët në akse të pamonitoruara nga kamerat.
Viktima 36 vjeç nuk është emër i panjohur për blutë në Shkodër, ndërsa njihej si person tejet problematik brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 2010 dyshohet se Elis Rroshkodoli ka plagosur me armë zjarri shtetasin Hysni Bregu. Më pas në vitin 2014 dyshohet se është përfshirë në një vjedhje në Belgjikë, i arrestuar bashkë me një grup shqiptarësh. Po në Belgjikë dyshohet se ka plagosur një shtetas.
Në vitin 2023, është autor i dyshuar për plagosjen e një rumuni në Rumani nga ku është arratisur drejt Stambollit. Ndërkohë policia përveç këtyre ngjarjeve ka mësuar edhe disa konflikte të tjera ku dyshohet se është përfshirë viktima.