Nga Nersada Mandija
Ndërsa viti shkollor po afron për çdo prind fillon periudha sfiduese e menaxhimit të kohës ndërmjet detyrimeve familjare dhe jetës profesionale.
Rikthimi i fëmijëve në shkollë, rikthimi në rutinën e ditëve të shkollës dhe shkëputja nga rutina verore, ditë të para shkolle, ditë të para kopshti apo çerdhe janë të gjitha kasavete më vete që shkojnë krahas planit të ngjeshur profesional të secilit prej nesh. Sfidat theksohen akoma më shumë në rastin e prindërimit të fëmijëve neurodivers.
Neurodiversiteti paraqitet me një rang të gjërë kushtesh si çregullime të spektrit autik, ADHD (çregullimi i pamjaftueshmërisë së vëmendjes me hiperaktivitet), disleksia etj të cilat kanë secila sfidat e veta por edhe pikat e tyre të forta. Prindërit e fëmijëve neurodivers hasen me një sërë sfidash që janë të vështira të shpjegohen- dhe shpesh të padukshme- në ambjentin profesional apo vendin e punës. Oraret e paparashikueshme, rraskapitja dhe nivelet e ndryshme të kujdesit që mund të ketë nevoja fëmija i tyre në periudha të ndryshme i detyron shpesh prindërit (së paku njërin prej tyre) të braktisë krahun e punës dhe t’i përkushtohet vetëm kujdesit ndaj fëmijës. Por a e kemi ne luksin sot të humbim krah pune, qoftë ai i kualifikuar apo jo?!-Sigurisht që jo!
Eksperienca ka treguar që këta situata atipike prindërimi (ndaj fëmijëve neurodivers) kanë bërë që këta njerëz të zhvillojnë një sërë aftësish jo vetëm që të rrinë në tregun e punës por edhe të lulëzojnë në të. Detyra e punëdhënësve dhe e politikëbërësve tashmë është që të dëgjojnë nevojat e punëmarrësve me fëmijë neurodivers (trend i cili fatkeqësisht është përherë në rritje nga fillimi i këtij shekulli) dhe të ofrojnë politika e strategji në mënyrë që këta punëmarrës të marrin mbështetjen që kanë nevojë si dhe tregu i punës dhe vendi ynë të përftojë nga aftësitë e tyre.
***
Prindërit e fëmijëve neurodivers hasen me një sërë sfidash personale që janë vështirë të shpjegohen. Ka disa arsye për këtë- mungesa e paraqitjes (së saktë) të neurodiversitetit në media, miti i familjes “perfekte”, presioni për të qënë prindi “perfekt” apo për të patur fëmijën “perfekt”, iluzionet që krijon media sociale etj. Shpesh shumica e këtyre prind janë tejet të rraskapitur për të shpjeguar në detaje kushtet e tyre familjare tek kolegët/eprorët, madje disa prej tyre mund të jenë ende duke e procesuar me veten e tyre dhe mjaftohen me fjalët “autizëm” apo “zhvillim i vonë”, fjalë të cilat kush nuk ka patur të bëjë me fenomenin nuk ia ka idenë më të vogël se çfarë vërtetë do të thonë.
Por këta këta sfida personale të prindërve me fëmijë neurodivers sjellin aftësi të reja në vendin e punës përtej aftësive që lidhen me profesionin, të farkëtuara në situata atipike prindërimi. Kryesisht këta prindër janë të shkëlqyer në planifikim dhe menaxhim kohe, të shkëlqyer në parashikimin e afateve kohore dhe supervigjilent në parashikim pengesash për arritjen e qëllimeve apo objektivave të një ekipi.
Në mënyrë që këta prindër të përdorin këta aftësi në punë dhe të lulëzojnë në profesionet e tyre, është e nevojshme që kolegët dhe eprorët e tyre të kuptojnë më shumë rreth situatës së tyre të prindërimit. Në aspektin personal duhet më shumë mirëkuptim nga kolegët kur këta prindër humbin ndonjë mbledhje pasi po merren me ndonjë krizë të fëmijës, apo kanë vështirësi të gjejnë dado apo t’u jepen këshilla të pakërkuara për çështje që kurrë nuk është thënë se janë problem. Të kujdesesh për një fëmijë neurodivers në aspektin profesional është brejtëse. Ka nevojë për më shumë mbështetje. Duhet më shumë fleksibilitet. Asnjë nga këta prindër nuk ka nevojë për përplasje të reja. Prandaj duhet që punëdhënësit dhe institucionet të sigurojnë sisteme dhe procese që u vinë në ndihmë punonjësve që të integrojnë lehtësisht punën e tyre me sfidat e prindërimit si dhe ti njohin ata si një aset profesional i krahut të punës dhe institucionit, ndërmarrjes tyre.
Të punosh dhe njëkohësisht të kujdesesh për një fëmijë neurodivers mund të jetë tepër e paparishikueshme. Në varësi të nevojave që paraqet fëmija, kujdesi i nevojitur mund të variojë në kohë, sasi, llojshmëri dhe shpeshti. Ka raste apo ditë që një prind nuk mund të hap as kameran për të marrë pjesë në mbledhjet online pasi fëmija i tij ka nevojë për prezencë fizike pa shkëputje gjatë gjithë kohës. Ka raste të tjera kur mund të mos ketë nevoja për ditë të tëra apo kur një prindi mund t’i duhet të largohet krejt papritur nga vendi i punës. Kjo nuk duhet të përceptohet si niveli i angazhimit të këtyre prind ndaj profesionit dhe vendit të punës apo si aftësia e tyre për të qenë produktiv dhe për të arritur objektivat e dhënë.
Ky është thjesht treguesi i nevojës që ata kanë për t’i kushtuar kohë familjeve të tyre në mënyrë që të garantojnë kujdes për nevojat speciale që fëmijët e tyre kanë.
Por ndërsa, jo të gjithë mund t’i kuptojnë këta nevoja speciale të fëmijëve, ka përherë momente të cilat ne (kolegët) dhe punëdhënësit mund t’i lidhin me veten. Për punonjës që përballen me kujdesin ndaj fëmijëve neurodivers për netë të tëra pa gjumë, dhënia e mundësive për të qënë fleksibël me oraret e punës mund të lehtësojë plotësimin e nevojave të fëmijëve gjatë periudhave të krizave pa prishur rendimentin e punës (në pozicione ku mund të aplikohet).
Raportat e shpeshtja mjeksore që këta prindër marrin, duhen aprovuar dhe parë si instrumente të shëndetshme që këta punonjës të kujdesen edhe për shëndetin dhe mirëqënien e tyre mendore. Të qënit mendërisht të shëndetshëm dhe të fortë është themelore për këta prind që jo rrallë janë advokuesit e vetëm për fëmijët e tyre. Përpjekjet për kujdesin e shëndetit mendor vetjak të prindërve të fëmijëve neurodivers jo vetëm nuk duhet të shihet si një pengesë në vendin e punës, por duhen mbështetur madje edhe me mbështetje financiare që u garanton atyre përballimin e terapistëve për veten dhe për fëmijët e tyre.
Kjo do të ishte një pikënisje e mirë për sistemin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të ndihmuar në mënyrë thelbësore kontribuesit e skemës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që kanë nën kujdes një fëmijë neurodivers. Ky kujdes jo vetëm do të mbështeste nevojat e tyre por do të garantonte qëndrimin e tyre në skemën e kontributeve.
Mbështetja për këta punonjës është shumë më e rendësishme nga sa duket. Punëdhënësit dhe institucionet duhet të garantojnë mbështetje shtesë për prindër që po përballen me këta sfida duke përfshirë informacion rreth neurodiversitetit nga burime të besuara.
Kjo mbështetje mund të konsistojë në sesione informuese, fjalime apo grup-bisedash me punonjësit, në mënyrë që të ndihmohen jo vetëm prindërit e fëmijëve neorodivers por gjithashtu edhe për vetë punonjësit neurodivers në mënyrë që të edukohen të gjithë punonjësit rreth neurodiversitetit.
Ka shumë gjëra që ambjentet e punës mund të mësojnë nga prindërit e fëmijëve neurodivers. Kur kujdesesh për një fëmijë neurodivers ti mëson shpejt të kuptosh veprime dhe sjellje që mund të identifikohen si pika të forta, ashtu siç mëson të indentifikosh shpejt aftësi ndryshe që të tjerët i cilësojnë si dobësi apo paaftësi. Këta përballje të mësojnë të shohësh përtej gjërave të çuditshme dhe të përqendroshesh tek zgjidhjet.
Për shembull, shumë njerëz autik kanë aftësi të shkëlqyera në analizimin e të dhënave por mund të mos kenë aftësi të mira në intervistim për shkak të vonesave në ligjërim dhe njohje apo çrregullime të tjera të ankthit apo çregullimi i pamjaftueshmërisë së vëmendjes me hiperaktivitet (ADHD). Këta mësime që prindërit e fëmijë neurodivers i mësojnë shumë heret, mund të bëjë që ata të jenë disa nga liderët më të mirë dhe më produktiv në vendin e punës.
Ndërsa krahu i punës do të njohë përherë e më shumë neurodiversitetin, sipas dëshire, këta prindër që kanë aftësitë unike, mund të bëhen ura lidhëse ndërmjet punonjësve neurodivers dhe atyre neurotipik dhe të ndihmojnë që të zhvillohen procese, sisteme dhe programe rreth neurodiversitetit që do t’i bëjë ata dhe punëdhënësit e tyre më të suksesshëm.
Për sa i përket menaxhimit të kohës, punëdhënësit mund të zhvillojnë modele pak më fleksibël që t’i përshtaten prindërve. Kjo mund të kërkojë që mbledhjet online apo raportimet të planifikohen në orare “të pazakonta” me rutinat aktuale por që do të lejonin integrimin në punë të prindërve të fëmijëve neurodivers.
Dhe ndërsa flasim për përshtatje teknike, mbështetja emocionale nuk duhet të mungojë- mbështetja nga kolegët duhet ë jetë e fortë. Empatia dhe kureshtja pozitive e kolegëve për situatën e këtyre prind luan një rol shumë të rëndësishëm që prindërit e fëmijëve neurodivers të ndjehen më të sigurtë dhe të angazhuar në punën e tyre.
***
Mbështetja e prindërve të fëmijëve neurodivers mund të ndryshojë nga skemat e tjera të mbështetjes me të cilat punëdhënësit janë mësuar, por gjithsesi nuk kërkon sforco të mëdha. Këta prindër kanë aftësi tepër të vyera të cilat vlersohen vetëm me raste. Mbështetja ndaj tyre është në detyrim moral dhe ekonomik, veçanërish tanimë që përherë e më shumë njerëz kanë filluar ta njohin dhe identifikohen me neurodiversitetin.
Vëmendja ndaj punonjësve me profile të ndryshme, integrimi i sugjerimeve dhe eksperiencave të tyre dhe zhvillimi i vazhdueshëm i mjedisit të punës do të jetë një përfitim jo vetëm i punëdhënësve por i gjithë shoqërisë në përgjithëse. Vlerësimi i nevojave të secilit prej nesh në vendin e punës dhe më gjërë është një garant i forcimit të marrëdhënieve dhe sensit të solidaritetit ndërmjet anëtarëve të shoqërisë sonë dhe rritjes së kohezionit social. Dhe kush më mirë se sasia e kapitalit social dëshmon për shëndetin dhe të ardhmen e një shoqërie.