Një 39-vjeçar i akuzuar për tentativë vrasje ndaj dy punonjësve të policisë në Vlorë, është ekstraduar nga Belgjika në Shqipëri.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, falë bashkëpunimit të ngushtë mes specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të tyre në Belgjikë, u realizua me sukses ekstradimi i shtetasit D. H., alias T. H., 39 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 2 shtator 2022, në Vlorë, ku D. H. alias T. H., në bashkëpunim me një tjetër person, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy punonjësve të Policisë, përpara se të largohej nga vendngjarja me një automjet që më pas u gjet dhe u sekuestrua nga autoritetet. Operacioni “Para drejtësisë” vijon.