Florian Plaku, një person nga Vlora, që besohet se ka vepruar si vrasës me pagesë është identifikuar dhe shpallur në kërkim nga policia e Tiranës, për ngjarjen e rëndë të vrasjes së Gentian Bejtjas në Larushk të Fushë-Krujës.
Ai rezulton të jetë njëri nga tre autorët që kanë marrë pjesë në vrasjen me kallashnikov të Gentian Bejtjas.
Kërkimet për kapjen e tij janë kryer në disa banesa në Tiranë dhe Vlorë, por policia nuk ka pasur rezultat pasi ai ndodhet jashtë Shqipërisë.
Ky zbulim i ri ka çuar në një tjetër nivel hetimet e prokurorisë dhe policisë së Tiranës, të cilat thanë për gazetarin e “Ora News”, Elton Qyno, se vrasja e Bejtjas në sy të fëmijëve të tij, është porositur dhe financuar nga një grup kriminal që vepron në zonën e Niklës, por ekzekutorët besohet se janë marrë nga Vlora.
Identifikimi i këtij personi është kryer falë verifikimeve të kamerave të sigurisë, ku ka dalë se ai ka qënë pikërisht brenda në makinën tip “Range-Rover” që u përdor në vrasjen e Bejtjas.
Me qëllim zbulimin e identitetit të tij, gjatë kësaj kohe policia ka kryer mbledhjen e të dhënave operative, duke arritur të zbulojë dhe emrin e personit që ka marë pjesë në këtë vrasje.
Për arrestimin e tij, policia ka angazhuar dhjetëra forca të ndërhyrjes së shpejtë, duke sekuestruar armë dhe sende të tjera.
Në total kanë qënë tre persona që kanë marrë pjesë në ekzekutimin brenda në serën e shtëpisë private të Gentian Bejtjas, por deri në këtë fazë vetëm njëri është arritur të identifikohet.
Ndërsa disa muaj më parë janë arrestuar dhe po mbahen në burg Ilir Beqaraj alias Brahimi, alias Mançellari, dhe Edison Haxhiu, të dy të dyshuar si personat që kanë transportuar me mjetin “Golf” autorët që bënë krimin e rëndë në 15 Mars në Larushk të Fushë-Krujës.
Gentjan Bejtja ishte duke vaditur fidanët e domateve në mini-serën e krijuar në oborrin e shtëpisë. Ndërsa në shoqërinë e tij, ishin tre fëmijët dhe nëna e tij. Ai kishte vetëm një javë që ishte kthyer në fshatin Larushk, duke qëndruar herë tek shtëpia e tij dhe herë tek banesa e babait.
Gentjan Betja ishte kthyer në fshat pas atentatit të ndodhur në muajin korrik 2023, ku mbeti i vrarë kunati i tij, Ramazan Sino dhe u plagosën dy fëmijët e tij.
Qëllimi i kthimit në fshat nuk ishte për të jetuar aty, por për të nxjerrë në shitje vilën e tij në Larushk. Këtë gjë ja kishte besuar këto ditë djalit të xhaxhait të tij, me qëllim që të merrej me letrat. Pasi vetë Gentjan Bejtja kishte planifikuar të largohej nga Shqipëria së bashku me familjen.
Por prezenca e Bejtjas në fshat me sa duket kishte rënë në sy të kundërshtarëve të tij, të cilët janë mobilizuar shumë shpejt dhe kanë realizuar vrasjen.
Paasditen e 15 Marsit 2024, tre persona të maskuar dhe të veshur me uniforma të zezë, kanë hyrë përmes portës kryesore dhe fillimisht kanë qëlluar pa asnjë paralajmërim mbi Gentjan Bejtjan, i cili ndodhej në oborr duke vaditur fidanët e domateve.
Breshëritë e kallashnikovit janë lëshuar drejt Bejtjas në sy të tre fëmijëve dhe nënës së tij të moshuar, të cilët u ndjenë të pafuqishëm për të bërë diçka në atë moment.
Autorët e krimit janë treguar të egër dhe të pamëshirshëm, pasi janë afruar përmes derës kryesore të shtëpisë, duke i shkuar shumë pranë Gentjan Bejtjas, dhe ashtu siç ishte i plagosur kanë vijuar ta qëllojnë sërish me breshëri kallashnikovi.
Plot 30 plumba kanë përshkruar trupin e Gentjan Bejtjas, i cili ka mbetur i vdekur në vend. Bejtja nuk ka mundur të bëjë asnjë lëvizje, ndërkohë në momentin e vrasjes ai ka qënë i paarmatosur.
Sipas hetimeve të kryera deri në këtë fazë ka rezultuar se autorët janë afruar tek banesa e Gentjan Bejtja me automjetin e markës “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë dhe pas kryerjes të vrasjes po me këtë automjet janë larguar në aksin rrugor Larushkë – Thumanë, pas kalimit të mbikalimit të Fushë-Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin e mësipërm.
Ndërkohë është vërtetuar se autorët janë larguar me një automjet tjetër tip “Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur intererarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë.
Momenti i ndërrimit të makinave dhe largimit të autorëve të dyshuar të vrasjes është marrë nga një shtetas Jordanez, por banues në Tiranë, i cili ndodhej për punë në atë zonë.
Ndër të cilët dëshmitari J.L, ka treguar se pasditen e 15 Marsit 2024 rreth orës 16:30, ka qenë duke udhëtuar nga ura e Gjoles në drejtim të fabrikës së “Çimentos” Fushë-Krujë.
Pikërisht në këtë aks rrugor ai thotë se ka parë të ndaluar në rrugë, dy makina. Midis tyre edhe një “Golf” të zi, ku ajo që dallohej ishte se ky automjet nuk kishte targa në pjesën e pasme të tij.
Ndërkohë në këmbë pranë mjeteve, midis tyre ishte edhe një motor katër rrotësh, ku qëndronin tre persona me kapuç të zi në kokë. Ndërsa dy të tjerë ndodheshin në mjetin “Golf: të zi.
“…sapo kalova kryqëzimin e rrugës dytësore, në rrugën që të nxjerr te karburanti, përpara automjetit tim unë pashë dy motorë katër rrotësh, një automjet “Golf” të zi, model 5 ose 6 tip i ri, pa targa në pjesën e pasme si dhe një automjet tjetër me ngjyrë gri, që targën nuk ia fiksova dot…”- ka deklaruar ai.
Më tej në dëshminë e tij, dëshmitari okular, tregoi se në këmbë përpara këtyre mjeteve qëndronin edhe tre persona, të cilët ishin të mbathur me veshje jo normale për përditshmërinë. Gjë që atij i bëri përshtypje dhe i dha mundësinë ti dokumentojë si imazhe.
Një skenë që për të dukej më shumë si një skenë xhirimi filmi, se sa një mendim se këta njerëz ishin këtu si personazhe të një ngjarje kriminale që kishte ndodhur vetëm pak minuta më herët, jo shumë larg vendit ku ai i pa.
“Ajo që konstatova më tej është se në afërsi të këtyre automjeteve dhe motorëve ndodheshin tre persona që qëndronin në këmbë. Ndërsa dy të tjerë, shoferi dhe pasagjeri i përparmë, ndodheshin në mjetin tip “Golf” të zi. Ajo që munda të dalloj me tej është se të tre personat që qëndronin në këmbë në rrugë pranë motorëve, kishin kapuçin e xhupave në kokë, dhe nuk i kanë hequr për asnjë moment. Dhe ata po qëndronin pothuaj ngjitur me mjetin tip “Golf” dhe po flisnin me njëri tjetrin…”, ka deklaruar ai.
Në kushte të tilla drejtuesi i mjetit, thotë se i ndjerë i frikësuar, mendimi i parë që i shkoi nëpër mend ishte të largohej menjëherë nga ai pozicion ku kishte ndaluar me makinën e tij. Ai tregon se pavarësish se lëvizi nga aty, frika e shoqëroi edhe më pas. Pasi në një moment mjeti tip ‘Golf’ I zi, iu vu nga pas. Ose ashtu ai pati ndjesinë në atë moment, se po e ndiqnin.
“…në këtë situatë unë u ndjeva i frikësuar, dhe vendosa t’i kaloj anash mjeteve të dyshimta që kishin ndalur në rrugë. Por vetëm pasi lëviza rreth 100 metra, para se të dilja në rrugën kryesore, unë vura re pas meje mjetin tip “Golf” të Zi, që po ma bënte me drita. Dhe që po kërkonte ti hapja rrugën dhe të kaloja përpara. Kjo ishte hera e fundit që e pashë mjetin “Golf” të zi. Pasi ndërsa më parakaloi, ky mjet shtoi shpejtësinë deri në kryqëzimin e aksit kryesor rrugor Fushë Krujë-Laç dhe më pas u kthye djathtas në drejtim të Fushë-Krujës…”.
Njoftimi i Policisë Tiranë
Në vijim të njoftimit të ngjarjes së datës 15.03.2024, për vrasjen e shtetasit Gentjan Bejtja, brenda rrethimit të oborrit të banesë së tij, në fshatin Larushkë, Krujë, ju informojmë si më poshtë.
Për hetimin e kësaj ngjarje të rëndë kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin profesional të Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer në vijimësi të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me iniciativë apo të urdhëruar nga Prokurori.
Lidhur me këtë ngjarje nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është regjistruar procedimi penal nr. 1944 të vitit 2024, për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuara nga nenet 78, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.
Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore ka rezultuar se autorët janë afruar tek banesa e shtetasit Gentjan Bejtja me automjetin e markës “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë dhe pas kryerjes të vrasjes, po me këtë automjet janë larguar në aksin rrugor Larushkë – Thumanë, pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin e mësipërm.
Nga kryerja e veprimeve hetimore është vërtetuar se autorët janë larguar me një automjet tip “Volkswagen Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur intinerarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë-Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë.
Nga analiza e informacioneve të marra nga inteligjenca policore si dhe këqyrja dhe marrja e kamerave të sigurisë, është bërë i mundur identifikimi i automjetit tip “Volkswagen Golf” me targë AB960GG, në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu, 30 vjeç, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë. Po kështu, ka rezultuar se ky automjet është përdorur edhe nga shtetasi Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë.
Më datë 19.03.2024, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit tip “Volkswagen Golf” me ngjyrë të zezë me targë AB960GG në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu dhe shoqërimin në ambjentet e Policisë. Gjithashtu, në vazhdim të veprimeve hetimore, po në këtë datë u bë i mundur shoqërimi në ambientet e Policisë i shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin “Walther” me tetë fishekë, një armë zjarri e markës “Benelli”, e cila mbahej me lejen e organeve të Policisë, një brez me njëzet e nëntë fishekë arme zjarri, pesë pajisje si ato të radiove marrëse-dhënëse, një pasaportë e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, një kartë identiteti e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, dhe 3 aparate celulare.
Më datë 19.03.2024, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi, alias Ilir Mançellari, 41 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armeve shpërthyese dhe e municionit”, dhe “Falsifikimi i dokumenteve” parashikuar nga nenet 278/2 dhe 186 të Kodit Penal, si dhe ndalimi i shtetasit Edion Haxhiu, 30 vjeç, për veprën penale “Sigurimi i kushte dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, parashikuar nga neni 80 i Kodit Penal.
Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, administrimit të provave dhe ekzaminimeve të ndryshme kriminalistike, administrimit të dokumenteve, grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të personave të tjerë si autorë të kësaj ngjarje.
Në vlerësim të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1885 datë 26.07.2024 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetasit F. P., alias F. S., alias F. M., 41 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i dyshuar pë kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuara nga nenet 78, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.
Shërbimet e DVP Tiranë, të mbështetura në fazën operacionale nga shërbimet e DVP Vlorë, kanë ushtruar kontrolle për lokalizimin e shtetasit F. P., alias F. S., alias F. M., 41 vjeç, dhe vijon puna për kapjen e këtij shtetasi i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjithashtu, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është ushtruar kontroll në ambientet e një agjencie udhëtimesh në qytetin e Lezhës, ku janë administruar pajisje elektronike dhe dokumente me vlerë për hetimin.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vlerësim të provave dhe fakteve të administruara, ka bërë rikualifikimin e veprës penale në ngarkim të shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, dhe përveç veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 186 dhe 278/1 të Kodit Penal, këtij shtetasi i është shtuar vepra penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78 e 22 të Kodit Penal.
Hetimet vazhdojnë për identifikimin e autorëve të tjerë dhe për rezultatet e tyre do t’ju informojmë në vazhdimësi.