Një 37-vjeçar u ekstradua nga Parisi, ndërsa ndaj tij ishte caktuar masa e arrestit me burg, pasi në vitin 2022 ka qëlluar me armë zjarri ndaj policisë.
Bëhet fjalë për shtetasin Shpëtim Kraja lindur në Shkodër. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2022, Gjykata e Kurbinit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, si dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi Shpëtim Kraja më datë 14.01.2022, në fshatin Arrameras, ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov, në drejtim të 2 punonjësve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, Tiranë, të cilët i dhanë urdhër ndalimi, pasi 37-vjeçari lëvizte së bashku me 2 shtetas të tjerë, me një automjet tip “Benz”, të vjedhur në Vorë.37-vjeçari akuzohet gjithashtu si bashkëpunëtor për kryerjen e 5 vjedhjeve të tjera.