Kryeministri dhe njëkohësisht kryesocialisti Edi Rama njoftoi nga Kongresi i Partisë Socialiste i Korrikt 2024 se deputeti Vullnet Sinaj nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetëve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, ndërkohë që ligjvënësi-biznesmen u përlot nga fjalët e mira të drejtuesit politik ndaj tij.

Megjithatë, largimi i tij nga skena politike nuk duket se do të jetë i lehtë dhe i butë. Pak javë më parë, grupi parlamentar opozitar i Partisë Demokratike njoftoi se do të dorëzonte në Kuvend një mocion për shpalljen e pavlefshëm të mandatit të Sinajt, pasi ai gjendet në shkelje të parashikimeve kushtetuese që lidhen me konfliktin e interesit.

Shtatori parlamentar pritet të marrë në shqyrtim këtë mocion, i cili, me shumë mundësi, do të përfundojë me shkarkimin e Vullnet Sinajt, para se ai të tërhiqet me dëshirë nga jeta institucionale.

“Boldnews.al” ka analizuar përcaktimet e Kushtetutës dhe ligjin për “Parandalimin e konfliktit të interesave”, të cilët parashikojnë ndalime të rrepta për përfitimet e deputetëve nga fondet dhe kontratat publike.

Sinaj, një biznesmen prej shumë vitesh, zotëron në mënyrë pasive një rrjet të gjerë marketesh, në qytete të ndryshme. Këto markete kanë marrë vetëm pak miliona lekë nga institucionet shtetërore. Por, me shumë mundësi, do të jenë të mjaftueshme për ta vendosur mandatin e Vullnet Sinaj në kundërshtim me Kushtetutën.