Zyra e Këshillit Britanik në Shqipëri (British Council) organizoi sot ceremoninë e nënshkrimit të kontratave për 10 grante, në mbështetje të rinisë shqiptare në tetë bashki në veri të Shqipërisë.
Ky event shënon edhe zbatimin e programit “Për Sigurimin e Rrugëve Alternative për Rininë Shqiptare”, një nismë e financuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
Ceremonia mblodhi së bashku përfaqësues nga Këshilli Britanik, Ambasada britanike në Tiranë dhe organizata lokale që përfituan grante në kuadër të këtij programi.
Përmes këtyre granteve, ofrohen mundësi të reja për të rinjtë duke i fuqizuar ata në zhvillimin e aftësive dhe ndërtimin e besimit dhe vetëbesimit, ndërveprimin mes tyre, komunitetit dhe medias për të sjellë ndryshime të prekshme pozitive dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në veri të Shqipërisë.
Programi Rrugë Alternative (Alternative Pathways) do të mbështesë të rinjtë e moshës nga 13-18 vjeç në veriun e Shqipërisë, për të përqafuar mundësitë alternative për zhvillim dhe të rrisë ndërgjegjësimin për pasojat e emigracionit të parregullt.
Në fjalën e hapjes, Majlinda Mazelliu, drejtoreshë e British Council për Shqipërinë, tha se “ceremonia e sotme shënon një hap të rëndësishëm për sigurimin e mundësive për të rinjtë në veri të Shqipërisë që mund të ndikojnë pozitivisht në jetët dhe komunitetet e tyre”.
“Ne jemi të gëzuar që përmes bashkëpunimit me partnerët tanë përfitues të granteve, tashmë do të punojmë më afër me të rinjtë dhe komunitetin për ndërtimin e një të ardhmeje ku të gjithë të ndihen krenarë për zhvillimin personal dhe atë komunitar, duke kontribuar në Shqipëri”, shtoi ajo.
Simon Charters, drejtori i Programeve dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Ambasadën britanike në Tiranë, nënvizoi se “ky program thekson edhe një herë përkushtimin e qeverisë britanike për partneritet dhe zhvillimin e marrëdhënieve tona të veçanta mes dy popujve”.
“Të rinjtë tanë janë pasuria më e madhe që kemi dhe duke i mbështetur ata, së bashku mund ta shndërrojmë veriun e Shqipërisë në një zonë vërtet të jashtëzakonshme. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për ta, dhe në interes të të dy vendeve tona”, tha ai.
Ceremonia e nënshkrimit gjithashtu ofroi mundësinë që përfituesit e granteve të prezantojnë nismat e tyre. Përfituesit e granteve janë disa organizata vendore të përkushtuara për të sjellë ndryshime pozitive në komunitetet e tyre.
Programi “Alternative Pathways”, i cili nisi në shtator 2023 synon të forcojë komunitetet lokale në Shqipëri dhe t’u ofrojë të rinjve alternativa të qëndrueshme ndaj emigracionit të parregullt. Programi bashkëpunon me shkolla, qendra rinore, media dhe shoqërinë civile për të mbështetur mësuesit dhe aktorët lokalë që të përkrahin fuqizimin e të rinjve, duke pasur në vëmendje barazinë gjinore dhe gjithëpërfshirjen.
Prej marsit 2024, programi ka pajisur 300 mësues dhe trajnerë për angazhimin në mënyrë efektive të të rinjve në shkolla. Në fund të projektit, pritet që 10 000 të rinj në tre rajone të jenë aktivisht të përfshirë ne program, si dhe 50 komunitete lokale që do të kenë përfituar nga projektet e drejtuara nga të rinjtë.