FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NGA TUBIMI QYTETAR NË ‘RRUGËN E SHPRESËS’
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha ka vlerësuar dhe përshëndetur protestuesit shqiptarë të cilët janë ngritur kundër vjedhjes te Bashkia e Tiranës, të protestuesve të Thumanës kundër ndëshkimit moral dhe antikushtetues, si dhe qytetarët që për 241 ditë me radhë protestojnë te ‘Rruga e Shpresës’.
Berisha u ndal te plaga e shpopullimit që ka prekur Shqipërinë pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës, ku sipas të dhënave zyrtare, nga vendi janë larguar 66% e banorëve.
Në fjalën e tij gjatë protestës maratonë te ‘Rruga e Shpresës’, Berisha theksoi se ky është një gjenocid ndaj shqiptarëve, dhe se në reagimin e tij, Rama foli njësoj siç do fliste Noriega, Maduro, Lukashenko, apo çdo diktator i pamëshirë ndaj qytetarëve të tyre.
Kryetari i PD, Sali Berisha i ka renditur kryeministrit Edi Rama të gjitha politikat e tij që nga viti 2013 kur erdhi në pushtet, të cilat kanë nxitur largimin masiv deri në shpopullim të Shqipërisë nga shqiptarët.
Gjatë fjalës së tij të mbajtur në protestën te ‘Rruga e Shpresës’, Berisha e akuzoi Ramën se ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve në këto 12 vite dhe se zotimi i demokratëve është përmbysja e këtij regjimi.
Berisha u shpreh se, zotimi solemn është beteja pa kthim për qeveri teknike, zgjedhje të lira dhe fitore të opozitës. Edi Rama ka në plan që të rrëmbejë me krimin mandatin e katërt, por shqiptarët do t’ja djegin në dorë planin e tij.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma, dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta, ju misionarëve dhe misionareve të kauzës së drejtë të çdo qytetari shqiptar. Ju guximtareve dhe guximtarëve që me qendrimin tuaj përcillni mesazhin e madh tek shqiptarët, se shpresa në këtë vend nuk vdes kurrë.
Ju që me guximin tuaj përcillni tek shqiptarët se në asnjë kohë, asnjë rrethanë guximi i shqiptarëve nuk soset kurrë.
Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj platforme të fjalës së lirë që përcjellin nga ‘Rruga e Shpresës’ të vërtetat e mëdha që fsheh dhe censuron regjimi i narkoshtetit shqiptar, diktatura e bandave, e Edi Ramës, aleancën me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Miqtë e mi!
Kjo protestë është dhe do të mbetet frymëzim për qendresën e çdo shqiptari. Është dhe do të mbetet dëshmi e vendimit për të mos u dorëzuar kurrë. E vendimit për të vazhduar betejën gjer në fitore. Ndaj edhe unë në emër tuaj përshëndes sonte të gjithë ata misionare e misionarë që protestuan para Bashkisë së Tiranës kundër njërit prej figurave më të korruptuara, më të shpërfytyruara të politikës dhe bashkisë të të gjitha kohërave, Erion Veliaj.
Përshëndes protestuesit e Thumanës për qendresën e tyre të pamposhtur ndaj ndëshkimit amoral, antikushtetues, antiligjor që regjimi i narkoshtetit iu bëri me rrugën e ndërtuar, kundër diskriminimit që iu bëri qytetarëve më të varfër në Europë me taksën e re.
Miqtë e mi!
Sot pas aferave më të rënda, aferës ndërkombëtare të trafikut të helmeve nga Edi Rama dhe ministrat e tij. Sot pas lajmit më tronditës, por edhe më të zi që shqiptarët kanë dëjgjuar në të tërë ekzistencën e tyre, largimin nga Shqipëria të 66% të banorëve të këtij vendi.
Foli më në fund Edi Rama.
Foli njëlloj si çdo të fliste Noriega, siç do të fliste Maduro, siç do të fliste Lukashenko, siç do të flisnin diktatorët e pamëshirë ndaj qytetarëve të tyre.
Ai foli i rrethuar nga një grup mjekësh dhe infermierësh, të cilët një muaj më parë i kishte shpallur autorë të krimeve kundër njerëzimit për faje, për krime që lidheshin direkt me krimet e tij, me vjedhjet e ministrave të tij.
Sot foli gjatë e gjatë se do të operohej për dhjamin në kofshë. Sikur dhjami i tij qenka problemi i shqiptarëve, sikur operacioni i tij për dhjam qenka halli i madh i çdo shqiptari.
Unë jam mjek, dhe për të sëmurin kam vetëm urim, por për kriminelin dhe diktatorin kam vetëm damkosje!
Dhe ja ku po ta them Edi Rama, se me asnjë lloj operacioni apo ndërhyrje nuk mund të mbulosh në këtë lojë me ndjenjat atë që iu ke bërë ti shqiptarëve. Edi Rama sot shqiptarët prisnin t’u flisje për boshatisjen e tmerrshme që i bëre vendit.
Edi Rama, pikërisht kjo boshatisje më e madhe se në çdo pushtim, se në çdo fatkeqësi natyrore e Shqipërisë, kjo braktisje e vendit nga 2/3 e popullatës së Shqipërisë. Pikërisht për këtë je cilësuar nga publicistë të njohur në Gjermani dhe në botë, si Pashiqi, si kryeminstri më i mirë i Serbisë pas Pashiqit, domethënë si Pashiqi i Tiranës.
Por meqënëse ti, zgjodhe dhjamin personal për të mbuluar me propagandë trafikun ndërkombëtar të lëndëve toskike që bën ti dhe klani yt qeveritar. Zgjodhe dhjamin personal për të mbuluar largimin nga Shqipëria të 2/3 të banorëve të saj, boshatisjen.
Vetëm nga viti 2014-2022, sipas Instat janë larguar vetëm në hapësirën e Shengenit 980 mijë banorë. Po të bashkohen të larguarit në SHBA, Britaninë e Madhe, Kanada, Norvegji, Zvicër, Lindje e Mesme, në të katërta anët e botës, vetëm në 8 vitet e tua të zeza u larguan nga Shqipëria 40% e shqiptarëve.
Në të gjitha ligjet dhe konventat ndërkombëtare ky është gjenocid i kryer ndaj shqiptarëve. Ndaj edhe unë ju ftoj miq, ta lemë të merret me dhjamin e tij.
Por ne shqiptarëve t’u shtrojmë pyetjen: a nuk është nxitje për t’u larguar nga Shqipëria arrestimi i 38 mijë qytetarëve shqiptarë për fatura dritave dhe çështje civile?
Zotimi ynë është: kurrë më! Zotimi ynë është: Qeveri teknike, largimi i tij!
A nuk është nxitje për t’u larguar nga Shqipëria kur shkatërron dhjetëra e mijëra biznese për mungesë konkurrence, shkatërron dhjetëra e mijëra banesa që je zotuar përë legalizim?
Edi Rama, këto janë krime që nxisin shpopullimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ke kryer gjenocid. Do të plotësojmë dosjen për në Gjykatën Ndërkombëtare.
A nuk është nxitje për t’u laruar nga Shqipëria kur katandis qytetarët shqiptarë, nga njerëzit më të paguar mirë në rajon në vitin 2013, në njerëzit me rrogat më të ulëta në rajon dhe Europë në vitin 2024. Me pensionet më të ulëta.
A keni dëgjuar ndonjë vend ku pensionistët të trajtohen më keq se kafshët shtëpiake. Ku në azilet e tyre i lidhin me zinxhirë në mënyrën më shtazore, ku ata vrasin njëri tjetrin për shkak të çrregullimeve që kanë?
Burgjet, azilet i ke shndërruar në qendra vrasjesh, vetëvrasjesh. Ky është narkoshteti, kjo është narkodiktatura.
Zotimi ynë është: përmbysja e këtij regjimi! Dyfishimi i rrogave, pensioneve.
A nuk është nxitje për largim nga Shqipëria, ku 18% e nënave nuk u japin më shumë se një, apo dy vakte në ditë fëmijëve të tyre? Kurse ti shëtit, shpenzon dhjetëra e dhjetëra milionë me avion taksi. Blen instalacione 4 mln euro, sikur të ishte sheik i Emirateve.
Ministrat e tu drekojnë dhe darkojnë në restorantet më të shtrenjta të vendeve më të shtrenjta.
A nuk është nxitje për largim nga Shqipëria, ku njerëzit me pensionet më të ulëta në Europë, me rrogat më të ulëta në Europë shkojnë në dyqane dhe gjejnë aty çmime 10 gjer 250% më të larta se në vendet e BE.
I pamëshirë, i pamëshirë noton në parajsën që ke krijuar me krimin ti dhe ministrat e tu, kurse shqiptarët numërojnë kafshatën, nuk ushqejnë dot fëmijët e tyre.
Edi Rama, a nuk është nxitje për t’u larguar nga Shqipëria kur ti kryen krime të hapura kundër njerëzimit me qendrimin shtetëror kriminal ndaj të sëmurëve me sëmundje të rënda. Ata duan ilaçe, të shpëtojnë jetën e tyre.
Ata nuk duan t’ia dinë për dhjamin e barkut tënd. Ata duan të mjekohen, ata nuk kanë punë me ndërhyrjet personale të trupit tënd. Ata duan kujdesin që meritojnë, dhe jo mashtrimin e përditshëm, jo vjedhjen që iu bën me zyrtarët e tu.
A nuk është nxitje për t’u larguar nga Shqipëria kur konfiskon, kur u kontrollon si në diktaturën më të egër vullnetin, votën qytetarëve shqiptarë. Kur e ke shndërruar procesin zgjedhor në një proces formal, sepse me narkoshtetin tënd elektoral, me bandat e krimit, familjet e drogës dhe mafies, ti përcakton çdo rezultat kohë më parë se të zhvillohen zgjedhjet.
Zotimi ynë solemn, betejë, betëjë pa kthim për qeveri teknike, zgjedhje të lira, rotacion pushteti, fitore të opozitës.
A nuk është nxitje, a nuk është gjenocid për kushte të largimit nga Shqipëria, kur punët publike të qytetarëve më të varfër në Europë kushtojnë 5 herë, 10 herë më shtrenjtë se sa në vendet e BE, sepse ti i pangopur me ministrat, drejtorët e tu vjedh 70%, 80%, 90%, por edhe 100% fondet publike.
A nuk është nxitje për t’u larguar nga Shqipëria, ku nga 11 mld euro që lubi Balluku dhe ti keni investuar gjoja në rrugë, ekzistojnë të përfunduara gjithëse 21 km rrugë që përshkojnë Krujën dhe Thumanën.
Tuneli më i kushtueshëm i planetit, tuneli i Llogarasë që kushton 65 mijë euro për banorë.
Çfarë ke bërë ti me to? Ndërton 1 km rrugë në fushë me 15 mln, por edhe 30 mln. Vjedh e vjedh dhe nuk ngopesh kurrë, varfërohen gjithnjë e më shumë, largohen nga Shqipëria.
Jo, jo! Ne jemi të zotuar të vazhdojmë betejën tonë. Shpresa e fundit, shpresa që nuk vdes kurrë! Do ecim të sigurtë drejt qeverisë teknike, zgjedhjeve të lira, rotacionit të pushtetit.
Edi Rama ka në plan të rrëmbejë edhe mandatin e 4-t. Shqiptarët do t’ja djegin në dorë këtë plan. Protesta e tyre, revolta qytetare, do të shkojë drejt qeverisë teknike, do iu kthejmë shqiptarëve votën e lirë, do presim me gërshërët e ligjit me zero tolerancë lidhjet e politikës me krimit. Do shtypim krimin kudo që ndodhet.
Luftë me zero tolerancë kunder vjedhjes dhe korrupsionit!
Shqipëria rikthehet në rrugën e ligjit, në rrugën e Kushtetutës, në rrugën e integrimit.
Rroftë Shqipëria, rrofshi ju! Fitore, fitore, fitore!