Dhjetë ngjarje të rënda kriminale e kanë tronditur vendin në muajin gusht, duke shkaktuar një bilanc prej 12 viktimash dhe 1 të plagosur.
Krime në familje, hakmarrje apo konflikte të çastit, ishin disa nga ngjarjet që u regjistruan, të cilat nisën më 5 gusht, kur një grua u dhunua për vdekje nga bashkëshorti i saj, një ditë më pas burri goditi më sëpatë gruan dhe gjatë konfliktit me të birin, ky i fundit e shtyu dhe ai u rrëzua duke humbur jetën.
Ngjarja e tretë u shënua më 8 gusht, kur në azilin e të moshuarve në Tiranë mbeti i vdekur një 82-vjeçar, pasi u godit nga personi me të cilin ndante dhomën.
Dy ditë më vonë, në Pogradec u dhunua për vdekje Eglantin Proga, ndërsa më 19 gusht në Tiranë efektivi Erjon Goxhara plagosi 45-vjeçarin Lorenc Kosta.
Po në të njëjtën ditë u regjistruan edhe dy ngjarje të tjera, ku në Tiranë burri vari gruan e më pas veten, të dy me shtetësi amerikane ndërsa në Velipojë mbetën të vrarë Arsid Hoxha dhe Ersild Ishmi.
Një ditë më pas, më 20 gusht, u gjet i vrarë në një përrua në Memaliaj Faik Ajdini 72-vjeç ndërsa në Mirditë u gjet i vrarë në banesë Frederik Radi.
Katër ditë më vonë në Tiranë u ther me thikë dhe humbi jetën në spital Amarildo Hoxhallari.