Kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali ka përkujtuar At Zef Pllumin në 100-vjetorin e lindjes.
Spiropali tha se At Zef Pllumi është shembull për çdo politikan vullnetmirë që ka orientim themelor drejtësinë sociale.
“Sot përkujtojmë 100-vjetorin e lindjes së At Zef Pllumit.
At Zef Pllumi ishte një figurë e madhe françeskane dhe një nga njerëzit më të shquar të letrave, kulturës dhe qytetërimit shqiptar.
Me jetën e tij të mbushur me dhimbje dhe vuajtje për shkak të besimit dhe ideve të tij, krijoi një model që u bë pjesë e ndërgjegjes kombëtare dhe identitetit europian të shqiptarëve.
Përmes librit të tij “Rrno vetëm për me tregue,” na dha një udhëzues të rëndësishëm se si ky model mund të frymëzojë të gjithë: besimtarë dhe jo besimtarë, të varfër dhe të pasur, qeveritarë dhe qytetarë, të majtë dhe të djathtë, në fshat dhe në qytet, nga lindja në perëndim, nga veriu në jug.
Impenjimi i tij kulturor, social e politik, në kuptimin më të gjerë, mbetet shembull për çdo politikan vullnetmirë që ka orientim themelor drejtësinë sociale”, shkruan Spiropali.