Një përleshje me grushta dhe sende të forta ka ndodhur natën e së shtunës në diskon “Sin” në Palasë, ndërsa mbante koncert këngëtari i njohur grek Konstandinos Argiros.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar pas tre ditësh edhe policia, e cila njoftoi se sherri ka ndodhur për motive të dobëta.
Mësohet se shkak i përplasjes mes burrave ka qenë shampanja, ku palët kanë akuzuar njëri-tjetrin se janë lagur.
Sipas policisë i dëmtuar nga sherri ka mbetur 42-vjeçari Luçiano Koçeku.
Ndërkohë që fillimisht policia shpalli zyrtarisht në kërkim 2 prej tyre, Xhoni Spaho 28 vjeç nga Tirana dhe Genti Baleci 49 vjeç nga Durrësi.
Ndërsa pasdite njoftoi se për sherrin masiv janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë. Konkretisht mësohet se bëhet fjalë për shtetasit Fatmir Bejo dhe Klajdi Cerri.
Ndërkaq rezulton se Fatmir Bejo është emër i njohur për policinë e cila e ka shpallur në kërkim më herët për një pengmarrje dhe një plagosje me armë në Tiranë.
Njoftimi i policisë
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë/Informacion shtesë
Në vijim të njoftimeve të dhëna më datë 26.08.2024 dhe 27.08.2024, për një konflikt fizik të ndodhur në ambientet e një kompleksi në fshatin Palasë, ju informojmë se:
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konfliktin e ndodhur rreth orës 02:20 të mëngjesit të datës 25.08.2024, në ambientet e një kompleksi, në fshatin Palasë.
Pas këqyrjes së kamerave dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i 2 personave të tjerë dhe shpallja në kërkim e tyre, konkretisht e shtetasve:
F. B., 30 vjeç, banues në Durrës, dhe K. C., 32 vjeç, banues në Tiranë.
Më herët, policia ka shpallur në kërkim shtetasit Xh. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, dhe G. B., 49 vjeç, banues në Durrës.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore është bërë i mundur edhe identifikimi i një tjetër shtetasi, i cili ka mbetur i dëmtuar në këtë konflikt për motive të dobëta, konkretisht shtetasi F. A., 42 vjeç, banues në Tiranë.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Xh. S., G. B., F. B., dhe K. C.
Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.