Përtej detit, siteve kulturore apo historike, natyrës e burimeve ujore, turizmi i aventurës duhet të kalojë në një nivel tjetër. Liqenet duket se janë burimi i pashfrytëzuar deri më tani, të cilët do të shërbejnë për të shtuar ofertën turistike të aventurës së përqendruar në zip-line.
Tetë zip-line dhe 2 shtigje kalimi pritet të ndërtohen në 9 bashki të vendit. Tenderi për projektimin e ndërtimin e infrastrukturës turistike të aventurës me vlerë 166.6 milionë lekë pa TVSH është hapur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Vendi pritet të thyejë një tjetër rekord. Deri më tani Zip-line i Petrelës është më i madhi në Ballkan e futet tek 10 më të gjatët në Evropë me gjatësi 1250 metra. Por ky rekord do ndryshojë me ndërtimin e zip-line mbi liqenin e Gjelbër në Lalëz të Durrësit me gjatësi 1526 metra.
1115 metra propozohet të jetë zipline tjetër në liqenin e Funarit në Elbasan, i cili synon të zhvillojë edhe më shumë turizmin lokal. Zip-line tjetër do të jetë në Voskopojë 919 metra i gjatë që do të jetë një aset i rëndësishëm për turizmin dhe ekonominë lokale. Nisja e do të fillojë në afërsi të Kishës së Shën Prodhomit dhe do të përfundojë mbi kodrën në veri të kishës së Shën Thanasi.
Projekti tjetër është planifikuar në Valbonë, ku zip-line do të ketë një gjatësi 794 metra nëpërmjet të cilit kalohet lumi nga njëra anë në tjetrën.
Me gjatësi 724 metra, do të jetë zipline mbi liqenin e Belshit, dhe do të jetë vetëm 13.6 metra mbi nivelin e tokës, për të vijuar me udhëtimin mbi kavo me gjatësi 644 metra nga Eco-Park Dumra në Belsh, që përfundon në anën tjetër të liqenit të Greganit.
Afro 588 metra do të jetë zip-line i ndërtuar mbi liqenin e Roshnikut në Berat, dhe i fundit për nga gjatësia është nga kulla 360 e Divjakës, mbi parkun kombëtar për të zbritur në lagunë (ishulli i Godullës), do të ndërtohet një zip-line, ku pushuesit do të përshkojnë nga ajëri 424 metra.
Pjesë e këtij tenderi janë edhe dy Via Ferrata-shtigje ngjitje (një kavo çeliku ankorohet përgjatë shtegut dhe shërben si mjet sigurie ku alpinistët mund të lidhin pajisjet e tyre të ngjitje) që do të ndërtohen në Grykën e Kuçit 160 metra e gjatë, që do të lehtësojë udhëtimin e alpinistëve por edhe për fillestarët. Shtegu tjetër do ndërtohet në Kanionin e Gjipes të bashkisë Himarë 350 metra e gjatë.
Në relacionin e tenderit thuhet se me këto ndërhyrje synohet të zhvillohen ekonomikisht rajonet duke shtuar bizneset dhe punësimin, të përmirësohet infrastruktura duke lehtësuar aksesin jo vetëm të pushuesve por edhe të banorëve të zonave. Po ashtu synohet promovimi i turizmit të qëndrueshëm dhe përmirësimi i eksperiencës së vizitorëve