Shqipëria dhe Moldavia janë vendet më të goditura në Europë nga niveli i lartë i emigracionit në raport me popullsinë, vuri në dukje Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin (IOM) në raportin global për vitin 2024.



Kryesisht, për shkak të mungesës së perspektivës së punësimit me paga dinjitoze, shumë njerëz janë larguar nga disa nënrajone të BE për të punuar në Europën Perëndimore dhe Veriore.

“Vende të tilla si Shqipëria dhe Republika e Moldavisë janë disa nga më të goditurat; rreth 40% e fuqisë punëtore të Shqipërisë, për shembull, vlerësohet të jetë duke punuar jashtë vendit, duke kontribuar në ikjen e trurit, duke ushtruar presion mbi industritë dhe ekonomitë vendase që vazhdimisht humbasin punëtorë si në sektorët me kualifikim të ulët, ashtu edhe në atë të lartë”, vuri në dukje IOM.



Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin rendit si arsye normat e larta të varfërisë, diferencat e pagave midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, korrupsionin dhe klientelizmin e konsiderueshëm që kanë ndikuar në vendimet e njerëzve për t’u larguar nga vendi ynë.

IOM vë në dukje se mijëra të rinj shqiptarë kanë bërë udhëtime të vështira për të arritur në Europën Veriore, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar, ku shumë prej tyre rrezikojnë jetën duke kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla ose me gomone.

Një prirje e ngjashme mund të shihet në Republikën e Moldavisë, me rreth një e katërta e popullsisë së saj “ekonomikisht aktive” që punon jashtë vendit.



Pushtimi i plotë i Ukrainës nga Federata Ruse që ka rezultuar në një krizë të kostos së jetesës në të gjithë botën, duke përfshirë edhe vendet e nënrajonit, ka detyruar edhe më shumë moldavë të largohen nga vendi.

Vendet e tjera si Bullgaria dhe Serbia nuk bëjnë përjashtim dhe vazhdojnë të shohin shumë nga të rinjtë e tyre që largohen.

Ndërsa shumë që largohen janë punëtorë migrantë të rregullt që përfundojnë duke punuar në Federatën Ruse ose në vende të Perëndimit dhe në Europën Veriore, ka pasur gjithashtu një rritje të numrit të migrantëve të parregullt nga disa vende të nën-Rajonit.

Në dekadat e ardhshme, migrimi do të jetë nxitësi i vetëm i rritjes së popullsisë në vendet me të ardhura të larta vë në dukje IOM teksa do të jetë shkaktar kryesor i rënies së popullsisë në vendet e varfra dhe ato në zhvillim.

Emigracioni në Shqipëri vijon me ritme të larta në dekadën e tretë të tranzicionit. Ritmet e ikjes u forcuan edhe më tej në dekadën e fundit në vend që të pakësoheshin, duke vënë në vështirësi ekonominë shqiptare dhe perspektivën afatgjatë të vendit.

Të dhënat e fundit të censit të popullsisë që i përkasin 2023 treguan se, popullsia e vendit është pakësuar me 420 mijë persona ndërmjet 2011-2023 si rrjedhojë emigracionit të lartë, pasi shtesa natyrore, pavarësisht se ka pësuar rënie është ende pozitive.

Diaspora shqiptare jashtë vendit ka arritur në mbi 1.6 milionë persona dhe kjo është sa 66% e popullsisë që jeton në vend./Monitor