Policia e Shkodrës ka arrestuar 4 persona ndërsa një tjetër është në kërkim pasi hodhën kapsolla në fushë gjatë ndeshjes së futbollit “Vllaznia-Tirana”, që u luajt mbrëmë në stadiumin “Loro Borici’ të Shkodrës.



Gjithashtu ata kundërshtuan dhe dhunë punonjësit e Policisë të angazhuar për të garantuar rend dhe qetësi në stadium.

Rreth orës 20:30, të datës 25.08.2024, në stadiumin “Loro Boriçi”, Shkodër, ku zhvillohej ndeshja e futbollit e kategorisë superiore ndërmjet ekipeve “Vllaznia- Tirana”, pas shënimit të golit, tifozët e ekipit të Tiranës, hodhën në fushë lëndë piroteknike.



Të arrestuar në flagrancë janë 4 shtetasit e shoqëruar mbrëmë, menjëherë pas ndeshjes, D. P., 29 vjeç, Sh. X., 22 vjeç, Sh. S., 29 vjeç dhe A. S., 39 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, kryer në bashkëpunim dhe duke ushtruar dhunë fizike;
Proceduan në gjendje të lirë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”, shtetasin M. L., 30 vjeç, banues në Tiranë. Nga kontrolli fizik, 30-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, 1 kapsollë.
Ndeshja e futbollit e kategorisë superiore ndërmjet ekipeve “Vllaznia- Tirana” përfundoi me rezultatin 2 -2.



Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.