Zonat e lakmuara turistike nuk janë vetëm atraktive për vizitorët vendas dhe të huaj, por edhe burim biznesi për subjekte dhe individë që operojnë në ato zona, shpesh duke sjelle edhe ngjarje të pakëndshme.
Një rast i tillë ka ndodhur në zonën e Vaut të Dejës, mes dy familjeve në konflikt konkurrence për biznesin e transportit me varka të turistëve, në luginën e Lumit të Shalës.
Mosmarrëveshjet kanë denigruar ditët e fundit deri në kërcënimin me jetë me një armë pneumatike nga dy të dyshuar babë dhe bir, ndaj ‘rivalit’ të tyre 58-vjeçar.
Policia e Shkodrës konfirmoi sot (26 Gusht) ngjarjen, duke proceduar penalisht K.N., 55 vjeç dhe R.N., 24 vjeç, banues në Vaun e Dejës.
Gjatë kontrolleve në banesë atyre, u gjetën arma pneumatike dhe 1 mjet prerës thikë, që mbaheshin pa leje.
Denoncimi ishte depozituar nga vetë 58-vjeçari i kanosur. Pas shoqërimit dhe marrjes në pyetje, babë dhe bir u lanë për hetime në gjendje të lirë, teksa kanë pretenduar agresion dhe kërcënime nga paditësi.
Ndaj tyre janë ngritur 3 akuza për veprat penale “kanosja”, “prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. Dosja për rastin i ka kaluar prokurorisë vendore.