Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur sot për investimet 11 vjeçare, ku sipas sipas ish-ministrit të Financave ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, gjer në vitin 2022 u investuan 20 miliardë euro në të gjitha fushat.
Lidhur me këtë Berisha ka deklaruar sot se investimet në qarkun e Peshkopisë, në qarkun e Shkodrës, në qarkun e Kurbinit dhe Kukësit, jo vetëm që nuk janë 1/20 e tyre, por ato nuk janë as 1 e 100 e tyre. Ai shtoi se në 11 vite janë përfunduar me asfaltim 10 km rrugë të Valbonës, 12 km të rrugës së Shishtavecit, 13 km të rrugës së Vermoshit, të gjitha, sipas tij, me financime të garantuara nga qeveria e mëparshme.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Të dashur qytetare dhe qytetarë, ai që urren një pjesë të kombit të tij, ai është armik i tërë kombit të tij. Të marrim pak investimet 11 vjeçare, sipas ish-ministrit të Financave ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, gjer në vitin 2022 u investuan 20 miliardë euro në të gjitha fushat. Miqtë e mi, investimet në qarkun e Peshkopisë, në Qarkun e Shkodrës, investimet në qarkun e Kurbinit dhe Kukësit, jo që nuk janë 1/20 e tyre, por ato nuk janë as 1 e 100 e tyre.
Në 11 vite janë përfunduar me asfaltim 10 km rrugë të Valbonës. Në 11 vite kanë përfunduar me asfaltim 12 km të rrugës së Shishtavecit, 13 km të rrugës së Vermoshit, të gjitha me financime të garantuara nga qeveria e mëparshme dhe po kaq të rrugës së Thethit. Asnjë kilometër tjetër. Miqtë e mi! Liqeni i Komanit, po ta quajmë edhe kanioni edhe pse nuk është, por ta quajmë në kuptimin figurativ është një bukuritë më mahnitëse të natyrës.
Por për të shkuar në liqenin e Komanit, rruga është sot më e shkatërruara e Shqipërisë. Dhe kur enti energjetik nisi rikonstruksionin e saj, Edi Rama dhe Belinda Balluku e ndërprenë në mënyrë brutale. Lubi Balluku do të deklaronte në parlament se ajo nuk është rrugë turistike. Ndërkohë që ajo është një nga zonat më të bukura turistike të Europës.
Liqeni i Komanit dhe lumi i Shalës janë nga bukuritë natyrore më të rralla që mund të shohë njeriu. Përveç kësaj, ajo është rruga më panoramike për në Valbonë dhe alpet e veriut. Pra 11 vite një distancë Vau i Dejës-Koman u la të shkatërrohet, ndërkohë që ajo është rruga e zonave turistike më të bukura të Shqipërisë. Po rruga e Lurës ku është? Asgjë më të bukur se Lurën nuk ka Shqipëria. E dërguam gjer në Perlat. Mashtroi 30 herë, do ta nis në këtë drejtim, do ta çoj në atë drejtim. Por nga Perlati në Lurë, kishte përfunduar 4-5 herë po të mos ishte urrejtja e tij atërore që ka ndaj veriut.