Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka dekretuar rektorët e universiteteve publike në vend, të dalë nga zgjedhjet e fundit në institucionet e arsimit të lartë, të cilat u mbajtën më 21 qershor.



Ceremonia është zhvilluar në Presidencë ditën e sotme, ku rektorët e zgjedhur kanë marrë nga kreu i shtetit dekretin që zyrtarizon nisjen e mandatit të tyre 4- vjeçar.

Gjatë fjalës përshëndetëse në ceremoninë e dekretimit, Presidenti Begaj theksoi sfidat me të cilat përballet arsimi i lartë shqiptar dhe misionin e drejtuesve të universiteteve publike.

Presidenti e cilësoi këtë ditë si pikënisje që do të shënojë fillimin e një kapitulli të ri në jetën e tyre akademike, një mundësi e vlefshme për të hedhur themelet për një përvojë të re e të pasur universitare.

“Të sapozgjedhur në këtë detyrë të rëndësishme, ju po bëheni tashmë drejtues të një komuniteti dinamik, të gatshëm për t’u ballafaquar me sfidat që dikton e sotmja dhe e ardhmja e vendit. Ju dhe universitetet që do të drejtoni ndani objektiva të përbashkëta dhe bashkoheni në dëshirën e arritjeve të larta akademike për të kontribuar pozitivisht në shoqërinë tonë dhe farkëtimin e një të ardhmeje më të mirë për brezin tonë dhe brezat që do të vijnë”, u shpreh Begaj.

Sipas Begajt, rektorët kanë përgjegjësinë që të krijojnë kushtet ku rinia shqiptare mund të shfrytëzojë plotësisht potencialin e vet human dhe profesional.

“Është detyra juaj të siguroni që universitetet tona të jenë vende ku ndriçon dija, ku studentët të frymëzohen dhe motivohen, ku nxitet liria akademike, ku rritet cilësia e mësimdhënies, ku kultivohet, përmirësohet dhe promovohet kërkimi shkencor, ku krijohet një mjedis që nxit mendimin kritik, krijimtarinë dhe inovacionin”, shtoi ai.

Universitetet publike të vendit më 21 qershor iu nënshtruan zgjdhjeve, akademike për rektor, dekanë dhe për senatin akademik. Në rreth 90% të universiteteve në garë kishte vetëm nga një kandidatë.



Fjala e plotë e presidentiti Bajram Begaj:

E nderuar znj. Manastirliu, Ministre e Arsimit dhe Sportit, e nderuar znj. Zhupa, Kryetare e Komisionit të Edukimit dhe Medias. I nderuar Kryetar i Akademisë së Shkencave,
të nderuar rektorë, të nderuar pjesëmarrës.

Është kënaqësi e vërtetë të ndaj me ju këtë ditë për t’ju uruar për detyrën tuaj të re!
Për mua ky moment i dekretimit tuaj si rektorë është më tepër se thjesht një formalitet apo një kusht ligjor.

Unë do ta quaj një pikënisje që do të shënojë fillimin e një kapitulli të ri në jetën tuaj akademike, një mundësi e vlefshme për të hedhur themelet për një përvojë të re e të pasur universitare, ku ju, së bashku me të gjithë pedagogët dhe studentët, do të jeni pjesë e një rrugëtimi të përbashkët.

Të sapozgjedhur në këtë detyrë të rëndësishme, ju po bëheni tashmë drejtues të një komuniteti dinamik, të gatshëm për t’u ballafaquar me sfidat që dikton e sotmja dhe e ardhmja e vendit.
Ju dhe universitetet që do të drejtoni ndani objektiva të përbashkëta dhe bashkoheni në dëshirën e arritjeve të larta akademike për të kontribuar pozitivisht në shoqërinë tonë dhe farkëtimin e një të ardhmeje më të mirë për brezin tonë dhe brezat që do të vijnë.

Angazhimi juaj nuk duhet kufizuar vetëm në secilin nga universitetet që ju përfaqësoni. Ju do të jeni pjesë e një komuniteti më të madh, me të cilin ndani përgjegjësitë dhe misionin, nga projektet në shërbim të komunitetit, deri te partneritetet me institucionet dhe organizatat lokale e ndërkombëtare.
Universiteti është një ekosistem i gjallë idesh dhe pasionesh, një vend i privilegjuar për të shprehur solidaritetin. Vetëm përmes shkëmbimit dhe ndarjes së përvojave me institucionet e tjera homologe ju do të mund të zbuloni të përbashkëtat tuaja, duke respektuar njëkohësisht dallimet dhe veçantitë tuaja.

Vetëm kështu do të mundeni të ndërtoni një komunitet gjithëpërfshirës, të fortë në diversitetin e tij. Përkushtimi juaj ndaj komunitetit dhe aftësia juaj për të bashkëpunuar do të jenë masat e vërteta vlerësuese të suksesit tuaj.



Kjo do të kërkojë nga ana juaj forcimin e lirisë dhe pavarësisë akademike për të zhdërvjelltësuar vendimmarrjen, debatin dhe ballafaqimin e ideve. Kultura e debatit është thelbësore për ushtrimin e mendimit të lirë në përputhje me historinë tonë, me vlerat tona dhe në përputhje të plotë me mision tuaj.

Të angazhohesh në këtë mozaik kulturor do të thotë të hapesh drejt të mësuarit dhe rritjes akademike.

Të dashur rektorë,

Ne sot po përjetojmë ndryshime të shpejta rrënjësore në formë e në përmbajtje. Askush nuk dyshon më sot se po jetojmë në një epokë ndryshimesh që disa e identifikojnë si revolucioni i katërt industrial, si një botë të globalizuar, e karakterizuar nga kombinimi i rrjeteve, internetit, apo IA-së, të cilat gradualisht po rezultojnë jo vetëm më të afta se njerëzit, por, mbi të gjitha, të afta për të mësuar dhe për të marrë vendime autonome.
Në këtë kontekst, edhe arsimi ynë universitar ka nevojë të evoluojë për të ruajtur dhe zhvilluar cilësinë e tij, në mënyrë që kërkimi dhe veprimtaria juaj akademike të mbeten konkurruese për të ardhmen e vendit.
Objektivi është i qartë, por rruga është delikate dhe plot të papritura.

Roli dhe misioni juaj bazik është t’iu ofroni studentëve shijen e mësimit, kuriozitetin dhe zbulimin, dhe unë mendoj se disa nga sfidat që do të kërkojnë përgjigje në detyrën tuaj të re sot dhe në të ardhmen janë:
Cili do të jetë kontributi real i teknologjive të reja të informacionit dhe komunikimit në mësimdhënie?
Si do t’i përshtaten dhe çfarë përdorimi duan t’i bëjnë në të ardhmen universitetet tona teknologjisë digjitale, inteligjencës artificiale?
Mbi të gjitha, cilat programe studimi do të jenë prioritet për studentët tanë, ku përshtatshmëria ndaj një bote që ndryshon vazhdimisht duhet të jetë thelbësore?

Personalisht, e kuptoj pozitën ku ndodheni. Të jesh sot rektor universiteti është përgjegjësi e madhe. Interesi publik për përmirësimin e cilësisë së arsimit duhet parë si nxitje për veprim.

– Përballë jush qëndrojnë pritshmëritë e studentëve, prindërve dhe mbarë shoqërisë shqiptare për universitete dhe institucione të larta arsimore që përgjigjen ndaj kërkesave të kohës;
– Përballë jush qëndron nevoja imediate e shoqërisë sonë për përgatitjen e profesionistëve dhe intelektualëve që do të plotësojnë nevojat që ka shoqëria jonë për zhvillim sot dhe nesër;
– Përballë jush qëndron studenti që dëshiron edhe shkollimin, edhe garancinë për punësimin;
– Përballë jush qëndron konkurrenca e fortë që vjen nga një treg global i arsimit të lartë.



Nga ana tjetër, të jesh sot rektor është edhe një mundësi e jashtëzakonshme të bëhesh faktor pozitiv ndryshimi:
Të kontribuosh në një sektor jetik, sepse arsimi i lartë në veçanti lidhet ngushtë me përparimin tonë si komb, që ne si shqiptarë të jemi të nxënë pranë dijes. Sot ju keni mundësi të lini gjurmë në historinë e arsimit shqiptar. Suksesi juaj do të matet me vështirësinë e sfidave me të cilat do të përballeni.

Unë ju inkurajoj që në përmbushjen e detyrës suaj të vendosni jo vetëm mendjen, por edhe shpirtin. Shpirtin e shqiptarit që, ndonëse me mund, i tejkalon sfidat, që e do profesionin, e do atdheun, e do të mirën dhe të bukurën. Niveli i arsimit të lartë pasqyron jo vetëm shkallën e zhvillimit të shoqërisë, por edhe kushtëzon, në një farë mënyrë, çdo veprimtari tjetër shoqërore.

Në këtë kontekst, ju, të nderuar rektorë, jeni thelbësorë. Ju keni përgjegjësinë dhe privilegjin të krijoni kushtet ku rinia shqiptare mund të shfrytëzojë plotësisht potencialin e vet human dhe profesional.

Është detyra juaj të siguroni që universitetet tona të jenë vende ku ndriçon dija, ku studentët të frymëzohen dhe motivohen, ku nxitet liria akademike, ku rritet cilësia e mësimdhënies, ku kultivohet, përmirësohet dhe promovohet kërkimi shkencor, ku krijohet një mjedis që nxit mendimin kritik, krijimtarinë dhe inovacionin.

Në kohën kur një pjesë e mirë e studentëve tanë preferojnë të shkollohen jashtë, duhet të krijojmë mundësi të barabarta dhe stimuluese këtu, në vendin tonë. Ndaj, ju inkurajoj të punoni për t’i bërë universitetet tona më tërheqëse, duke ofruar kushte dhe mundësi që të rinjtë tanë të mos ndihen të detyruar të kërkojnë suksesin jashtë vendit.

Universitetet tona duhet të jenë në pararojë të hulumtimeve akademike duke siguruar cilësi të lartë në çdo aspekt të veprimtarisë së tyre. Në një epokë ku njohuritë dhe teknologjitë e reja ndryshojnë me një ritëm të paprecedentë, është detyrë e universiteteve tona të jenë në krye të këtyre ndryshimeve duke kontribuar në zhvillimin shkencor dhe teknologjik të vendit.

Ndërtoni mbi sukseset e deritanishme dhe përvojat pozitive. Nisma si ndërkombëtarizimi i universiteteve, shkëmbimi i studentëve dhe ekipeve të pedagogëve dhe administratës është një shembull i mirë. Shkëmbimi i eksperiencave të mira në mësimdhënie dhe kërkim shkencor ndikon drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë në universitetet tona.



Ligji për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor i jep një dimension të ri konceptit të lirisë akademike dhe financiare. Përdoreni këtë për të krijuar lidhje më organike midis studimeve dhe nevojave të tregut të punës. Fakti që kemi ende studentë të diplomuar që nuk gjejnë punë në degën e tyre të studimit, duhet të na bëjë të shohim mundësinë e përmirësimit të sistemit duke prezantuar kurrikula të reja të programeve të studimit. Ndryshe, çfarë vlere ka diploma e universitetit për një student që nuk shfrytëzon dot njohuritë e përftuara?!

Përshtatja me tregun duhet shoqëruar edhe me lehtësimin e hapave të kalimit nga jeta studentore në jetën e punës. Tranzicioni, si përkufizim, është periudhë e vështirë, sidomos kur del nga bankat e shkollës dhe drejtohesh drejt të panjohurës. Të gjithë e dimë se sa ndryshe është jeta në punë. Ndaj, ju nxis të shihni mundësinë e promovimit të praktikave në punë duke i bërë ato më tërheqëse dhe më të thjeshta për t’u realizuar.

Si krerët e institucioneve tona të arsimit të lartë përgjegjësia juaj është e madhe. Por, po aq i madh është edhe potenciali juaj për të ndikuar pozitivisht në jetët e mijëra studentëve dhe në zhvillimin e vendit.
Një komb vërtet nuk ekziston dot pa punëtorë e zanatçinj, por as nuk përparon dot pa shkencëtarë e filozofë.

Duke përfunduar, të nderuar rektorë, uroj të ndërtojmë së bashku dhe me besim hapësirën e re të arsimit universitar për t’u ballafaquar me sfidat e kohës me kurajë dhe vendosmëri.

Unë kam bindjen se ju keni fuqinë të bëni ndryshimin.
Duke ju uruar sinqerisht një vit të mbarë universitar, shpreh dhe një herë kënaqësinë të ndaj me ju këtë fillim të funksionit tuaj të ri!

Urime dhe suksese në misionin tuaj fisnik!