Skuadra e Vllaznisë për vajza pas disa largimesh nuk ka humbur kohë duke përforcuar ekipin me lojtare të tjera që kanë firmosur përpara nisjes drejt Gjeorgjisë ku vajzat shkodrane do të luajnë për eleminatoret e Ligës së Kampioneve. Presidenti i Vllaznisë Lazër Matija thotë se janë 11 futbolliste të afruara në ekip mes të cilave më e rëndësishmja është rikthimi i Megi Doçit.



Vllaznia është duke menduar vetëm për Ligën e Kampioneve thotë Presidenti Matija ndërsa sipas tij ende nuk është e sigurtë nëse kjo skuadër absolute në Shqipëri do të jetë sërish pjesë e kampionatit shqiptar për shkak të disa vështirësive që ende nuk janë zgjidhur.

Megi Doçi rikthimin në shtëpi tek Vllaznia e cilëson një emocion të madh me synimin për t’u kualifikuar në grupet e Ligës së Kampioneve ndërsa konfirmon se tek Gallatasarai në Turqi e ka mbyllur aventurën pas 5 muajsh qëndrim atje sepse pritja nuk ka qenë aq e mirë nga turqit.

Dy futbollistet amerikane Jones dhe Pressley vlerësojnë ngrohtësinë që gjetën në Shkodër.



Portierja e Apolonisë Antigona Hyska në pjesëmarrjen e Vllaznisë në Ligën e Kampioneve do veshë fanelën kuqeblu dhe për të ky është momenti më i rëndësishëm.

Vllaznia për vajza do të niset më 1 shtator drejt Gjeorgjisë ndërsa më 4 shtator do jetë përballja e parë me kampionen gjeorgjiane Lanchkhuti dhe në rast fitoreje do të përballet me fituesen e çiftit Polten e Austrisë Neftçi e Azerbajxhanit në 7 shtator.