Interpol Tirana bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka bërë të mundur të ekstradojë nga Spanja dhe Franca, dy persona të kërkuar nga drejtësia shqiptare për vepra të ndryshme penale.



Kështu nga autoritetet spanjolle është dorëzuar në Rinas, shtetasi shqiptar Ismail Zeneli alias Luan Sadria, 50 vjeç pasi GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për të, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Trafikimi i lëndëve narkotike në formën e grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Procedimi për këtë shtetas ka nisur në vitin 2003, ku është zbuluar se Ismail Zeneli alias Luan Sadria ka dhënë informacione mbi vendndodhjen e shtetasve A. N. dhe E. N., me qëllim vrasjen.



Gjithashtu u ekstradua nga Parisi shtetasi shqiptar Xh. K. alias Xh. K. pasi Gjykata e Apelit Shkodër e ka dënuar me 1 vit burgim, për veprën penale “Dhuna në familje”. Ky shtetas, pas disa konflikteve me bashkëshorten e tij, e ka marrë atë në telefon dhe e ka kanosur me jetë, në prani të fëmijëve të saj të mitur.