“Tjetër hap i rëndësishëm për ta kthyer Shqipërinë në një eksportues neto të energjisë elektrike”, tha kryeministri Edi Rama më 21 qershor 2021.
Jo vetëm energji nga uji, dielli, era apo hibride, por për të arritur synimin e qeverisë që vendi të jetë eksportues neto i energjisë deri në 2030-ën, duhen edhe kapacitete ruajtëse. Për këtë arsye qeveria planifikon të ndërtojë një central për ruajtje të energjisë elektrike. Vlera e këtij investimi përllogaritet të jetë 120 milionë euro edhe pse ende nuk ka një projekt zyrtar se ku do të ndërtohet.
Ky vendim vjen për shkak se vendi ka mbiprodhim të energjisë gjatë stinës së dimrit, dhe energjinë e eksporton me çmim të ulët, pasi nuk ka kapacitete ruajtëse, ose në rastin më të keq hapen portat e hidrocentraleve që tej mbushen me ujë.
Për të diversifikuar prodhimin e energjisë, në mënyrë që të shkëputet varësia nga reshjet, në vend është investuar në parqe fotovoltaike si ai i Karavastasë, Spitallës apo parqe eolike ose hibride, e deri tek TEC-et lundruese në Vlorë.
Por mesa duket këto nuk mjaftojnë për të fuqizuar Shqipërinë edhe në sektorin energjetik. Në dokumentin e politikave prioritare të qeverisë janë 25 projekte energjetike në plan, me vlerë mbi 3.1 miliardë euro.
Projekti më i kushtueshëm në listën e investimeve të qeverisë është ai hidrocentralit të Skavicës me vlerë 800 milionë e 50 mijë euro i cili është ende në fazë studimi, dhe projekti për linjën e re të interkonjeksionit nënujor Vlorë-Brindisi me vlerë 310 milionë euro.
Po ashtu planifikohet të ndërtohen të tjera impiante fotovoltaike, zgjerim të rrjeteve të transmetimit, avancimi në gazifikimin e vendit e deri tek synimi për të vënë në punë TEC-i i Vlorës që planifikohet të kushtojë 250 milionë euro.
PROJEKTE TË MATURUARA
Gazsjellësi Fier-Vlorë që do të lidhë gazsjellësin TAP me TEC-in e Vlorës, 50.5 mln euro
Ndërtimi i impiantit fotovoltaik në Vaun e Dejës prej, 13.860 mln euro
Ndërtimi i impiantit fotovoltaik në Belsh, 40 mln euro
Rehabilitimi elektromekanik i HEC të Vaut të Dejës, 130.790 mln euro
PROJEKTE PJESËRISHT TË MATURUARA
Gazsjellësi Adriatiko-+Jonian seksionet e Malit të Zi dhe Shqipërisë, 172.500 mln euro
Ndërtimi i rrjetit të transmetimit të gazit natyror në Korçë, 40 mln euro
Magazinimi nëntokësor i gazit në zonën e Dumresë, 89.5 mln euro
Vënia në punë e TEC të Vlorës, 250 mln euro
Ndërtimi i një pompe depozituese Koman Fierzë, 202.670 mln
Ndërtimi i linjës 220 kilovolt Vau i Dejës-Podgoricë dhe zgjerimi në 400/220 kilovolt i nënstacionit të Vaut të Dejës, 70 mln euro
Ndërtimi i një linje të re 400 kilovolt me Greqinë dhe mbyllja e unazës së brendshme, 53.6 mln euro
HEC Skavica, 800.050 mln euro
Park fotovoltaik në Belsh 250 megavat pik, 150 mln euro
Vlerësimi i potencialit të energjisë eolike në Shqipëri për ndërtimin e një centrali eolik në det, 100 mln euro
PROJEKTE TË PAMATURUARA
Linja e re e interkonjuksionit nënujor Vlorë-Brindisi, 310 mln euro
Dixhitalizimi i Kaskadës së Drinit, 80 mln euro
Ndërtimi i një centrali për ruajtje të energjisë elektrike, 120 mln euro
Terminali LNG në Vlorë, 120 mln euro
Zgjerimi i nënstacionit të Fierzës, 35 mln euro
Rikonstruksioni i rrjetit 110 kilovolt në zonën Veri-Lindore, 13 mln euro
Zhvillimi i terminalit të naftës në Porto Romano, 8.2 mln euro
Rrjeti i transmetimit të Gazit në qarkun e Fierit dhe Ballshit, 12.4 mln euro
Gazsjellësi Shqipëri-Kosovë, 195.5 mln euro
Përmirësimi digjital i sistemeve të integruara të energjisë brenda Ballkanit perëndimor si shtytës kryesor për një epokë të re, 50 mln euro
Zgjerimi dhe spostimi i nënstacionit ekzistues Tirana 1 me nivel tensioni 400 kilovolt, 17 mln euro.