Në Shqipëri, të rinjtë gjithnjë e më shumë po priren të studiojnë jashtë vendit, në universitetet e Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Deri në fund të vitit akademik 2023-2024 rreth 14 mijë të rinj shqiptarë studiuan jashtë vendit, ku më shumë se 1000 prej tyre në Universitetet e Amerikës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, sjell përvojën e të riut Arbri Kopliku, i cili, pasi përfundoi shkëlqyeshëm studimet në Institutin e Teknologjisë në Masaçusetts të Bostonit, po përgatitet të nis studimet për doktoratur në Universitetin mjeksor të Harvardit.


Për të rinjtë shqiptarë, që studiojnë në Europë dhe Amerikë, janë ditët e fundit të pushimeve verore në vendlindje, pasi shumë shpejt ata do të rikthehen në auditore.

Edhe i riu nga Shkodra, Arbri Kopliku, pas disa ditësh do të udhëtojë për studime drejt SHBA-së. Gjatë 4 viteve të kaluara, ai përfundoi studimet për Bio-Inxhinieri me rezultate të nivelit të lartë në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetsit, ndërsa në ditët e para të shtatorit do të nisë studimet për doktoraturë në Universitetin e Harvardit.


“Do të rikthehem në Amerikë, prap në Boston, për të filluar studimet për doktoraturë në programin në mes të shkollës së mjekësisë së Harvardit, Harvard Medical School dhe Institutit Teknologjik të Masaçussets, ku isha për të kryer bachelorin. Do të studioj për inxhinieri mjekësore edhe specifikisht do të punoj në një laborator që zhvillon trajtimet e reja të personalizuara në një shkallë nano, shumë të vogël, për kancerin specifikisht por që të jenë të afta me trajtu shumë lloje të kancerave me të njëjtën teknologji”, tregon ai për Zërin e Amerikës.


Arbri thotë se përvoja e fituar në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets është mjaft e veçantë për të si student, pasi studimi në një prej universiteteve më të mira në botë, i krijoi mundësinë e njohjes me zhvillimet më të fundit të kërkimit shkencor, zgjedhjen e lëndëve dhe komunikimin me profesorët që ishin në frontin e parë të imunologjisë dhe luftës kundër COVID-it, mbi të gjitha, zhvillimin e praktikave mësimore në laboratorë dhe kompani me famë botërore.

Ishte periudha pas COVID-it, thotë ai, dhe kjo ndikoi në mënyrën ku u fokusua shkenca. Laboratorët me rritjen më të shpejtë ishin ato që prodhonin antitrupa dhe vaksina dhe po përparonin në kërkimin shkencor, sidomos për sëmundjet infektive.

Kjo, ndihmoi të përfshihet në kërkimin shkencor dhe të aplikojë njohuritë teorike nëpërmjet projektesh madhore te kompanive më të njohura në Amerikë, ku ai zhvilloi praktikat mësimore.

“Hera e parë ishte tek kompania Moderna që është edhe kompania që ka prodhuar edhe vaksinën kundër COVID-it dhe shumë gjëra të tjera. Puna që kisha unë ishte për të testuar lloje të ndryshme kombinimesh të ARN, që ishte përmbajtja e vaksinës, për të arritur që vaksinat të bëhen më të qëndrueshme ndaj temperaturave të larta dhe më thjeshtë të prodhohen. Pastaj, verën pas kësaj unë u futa në një fushë krejt tjetër, çuditërisht ishte krejt e përshtatshme me edukimin që kisha marrë në shkollë, por që ishte për pajisjet biomjekësore. Kompania prodhonte pajisje për diabetin, për sëmundjet neurodegjenerative edhe për kancerin”, thotë ai.


Në Boston jeton një komunitet i madh shqiptarësh, mes të cilëve edhe të rinj nga trevat shqipfolëse, të cilët studiojnë në universitetet e Bostonit. Kjo, thotë Arbri, ishte një mundësi e mirë për të krijuar shoqatën e studentëve shqiptarë në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, përmes të cilës marrin pjesë nëpër panaire, ekspozita, në festivale të kulturës ballkanike dhe europiane si dhe ndërveprojmë me shoqatën “Besa” dhe Kishën e Shën Gjergjit në Boston.

Ndërsa një vit më parë, bashkë me një të ri shqiptar që studion në Kanada, themeluan organizatën jofitimprurëse “Albanian Trailblazers”, e cila ofron mentorim dhe mbështetje për të rinjtë shqiptarë që duan të studiojnë jashtë vendit.

“Arritëm të krijojmë një organizatë që quhet “Albanian Trailblazers”, e cila vitin që kaloi është zgjeruar shumë. Kemi arritur të krijojmë një grup për workshope ku, shqiptarët e suksesshëm nëpër botë mund të vijnë , të ndajnë përvojat e profesioneve të tyre apo pasionet gjithashtu. Kemi krijuar një grup për ndërlidhjen e shqiptarëve me synimin që të bëjnë grupe të veçanta si shqiptarët e Bostonit, të Londrës apo Austrisë dhe me u arritë të takohemi edhe fizikisht dhe jo vetëm virtualisht”, tregon ai.


Studimet në ciklin e doktoraturës në Universitetin e Harvardit pritet të zgjasin pothuajse 6 vite, një rrugë e gjatë dhe plot sfida edhe për të riun nga Shkodra, Arbri Koplikun, por ai ndjehet optimist se do t’i kapërcejë i nxitur nga synimet që ka për të ardhmen.

“Doktoratura në Amerikë është pak e gjatë, është 5-6 vjet, por duke mendu përtej kësaj unë kam dëshirën që njohuritë që arrij t’i thelloj gjatë doktoraturës si dhe zbulimet t’i paketoj në mënyrë të atillë që të jetë një kompani në të ardhmen. Me hap një kompani dhe, pse jo, me përfshi edhe Shqipërinë aq sa ajo mund të ofrojë për zhvillimin e teknologjive për kurimin e sëmundjeve të ndryshme, por edhe për prodhimin e produkteve biofarmaceotike”./VOA