Policia e Shkodrës vijon kërkimet për arrestimin e dy vëllezërve Edmir dhe Gëzim Frroku, pronarë të hotel ‘Holiday’ në plazhin e Velipojës, të cilët akuzohen se vranë Ersild Ishmin, 33 vjeç dhe kunatin e tij Arsid Hoxha, 22 vjeç. (Hoxha rezulton burri i motrës së Ersildit) rreth orës 21:00 të mbrëmjes së 19 gushtit 2024.
Viktimat kishin shkuar për tu sqaruar me pronarët e hotel “Holiday”, por konflikti mes tyre ka agravuar në përdorimin e armëve. Ngjarja ka ndodhur në rrugën nacionale Shkodër-Velipojë, përballë hotel “Holiday”.
Në këtë atentat mbeti i plagosur aksidentalisht dhe kamerieri, Zyber Zagrad, 26 vjeç banues në Dibër, i cili pas mjekimit në spital është ndaluar nga policia. Bashkë me të është arrestuar dhe Marjo Pali, 29 vjeç banues në Shkodër. Të dy janë punonjës në hotelin në pronësi të vëllezërve Frroku, por roli i tyre në ngjarje ende nuk është sqaruar nga policia.
Zyber Zagrad rreth orës 23:20, ishte paraqitur për të marrë mjekim, në spitalin rajonal të Lezhës, i dëmtuar lehtë në këmbë.
‘Këta 2 shtetas, Marjo Pali dhe Zyber Zagrab, punonjës në një lokal në afërsi të vendit ku ndodhi ngjarja e mbrëmshme, dyshohet se janë përfshirë në konfliktin ndërmjet shtetasve Edmir Frroku, Gëzim Frroku, Arsid Hoxha dhe Ersild Ishmi. Shtetasi Zyber Zagrad, rreth orës 23:20, është paraqitur për të marrë mjekim, në spitalin rajonal të Lezhës, i dëmtuar lehtë në këmbë, me armë zjarri. Ai dyshohet se është plagosur gjatë të shtënave me armë zjarri’ informoi sot policia e Shkodrës.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të strukturave në varësi të saj, të mbështetura nga grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, vijojnë intensivisht kërkimet për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve Eduart Frroku dhe Gëzim Frroku.’, njofton më tej policia.