Partia Demokratike në Shkodër ka dalë më një deklaratë sot pas Shkodra u trondit nga një tjetër krim që mori dy jetë njerëzish dhe rrezikoi edhe një të tretë në Velipojë. Autorët ndërkohë janë zhdukur nga vendi i ngjarjes. Në deklaratë, PD i bëri thirrje Policisë së Shtetit të ngrihej në lartësinë e detyrës dhe të mos bëhej pjesë e propagandës së qeverisë.

Znj. Eliona Kodra Shkreli, këshilltare bashkiake e PD, tha: “Në vendin tone ligjin e bëjnë të fortët, ndërsa Policia e Shtetit, si garante e rendit dhe qetësisë që do duhej të ishte, merret me pasojat dhe jo me parandalimin e ngjarjeve të rënda. Kjo tregon qartë se kemi të bëjmë me një strukturë policore totalisht të dorëzuar përballë krimit dhe jo në mbrojtje të rendit dhe sigurisë.

Krimi ka arritur shkallën më të lartë aq sa askush nuk është më i sigurt në vendin tonë. Vetë policia e shtetit sot komandohet nga bandat dhe ajo thjesht një shtojcë elektorale e tyre. Më saktë, ajo quhet sot policia e bandave. Kjo qeveri dhe strukturat e saj në vend që të garantojnë jetën e qytetarëve dhe turistëve në zonat turistike, merren me propagandë bajate dhe fasada të rrejshme.

Kjo ngjarje do të parandalohej nëse shteti nuk do të ishte i kapur kokë e këmbë nga bandat e krimit dhe paratë e drogës dhe të korrupsionit.

Partia Demokratike Shkodër i bën thirrje Policisë së Shtetit të ngrihet në lartësinë e detyrës kushtetuese dhe të mos bëhet pjesë e propagandës bajate të qeverisë, por të garantojë jetën, rendin dhe qetësinë e qytetarëve.”