Shkodra po kthehet gjithnjë e më tërheqëse në sytë e turistëve vendas e të huaj jo vetëm për atraksionet historike, por tashmë edhe për sportet e aventurës me varka.
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, teksa ndau pamje nga sportet ujore që turistët po zhvillojnë në këto ditë gushti në liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna.
Rama tha se turistët po ushtrojnë sportet e aventurës me varka, kanoe, paddle boards, mbi lumin Buna dhe liqen, që pak e nga pak do të rijetësohet me mjete lundruese të të gjitha llojeve.
Drini Xhafa, themelues i “Drini Times”, tha se ky aktivitet zhvillohet në Shirokë që në vitin 2020. Kjo nuk është thjesht një mënyrë për të bërë sport, por për të bërë një eksplorim shumë të magjishëm në liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna”.
“Fillon në Shirokë dhe bëhet në një trajktore mbi 26 km, ku turistët mund të eksplorojnë pjesë të liqenit të Shkodrës, pjesën e zambakëve në liqenin e Shkodrës, të ligatinës që është e mbushur me vegjetacion të dendur me zogj të ndryshëm dhe peshq”, tha Xhafa.
Lumi Buna, vijon Xhafa, përbën një risi për turizmin e paeksploruar të Shqipërisë, ku çdo pjesëmarrës që kemi pasur deri tani është ndier i privilegjuar dhe i habitur se përse nuk eksplorohet një destinacion i tillë.
“Është një perlë, shumë shpesh e krahasuar me lumin Amazona”, tha Xhafa.
Një turist tha se “jam këtu prej 7 ditësh, kemi vizituar Kalanë, liqenin këtu, do të shkojmë në liqenin e Komanit dhe më pas do të kthehemi në Holandë”.
“Është shumë këndshëm, shumë mikpritje, sidomos nëse shkon në restorante. Çmimet? Nëse i krahason me Gjermaninë janë shumë të lira”, tha ai.
Tashmë Shkodrës me bukuri të shumta natyrore dhe historike i është shtuar dhe lundrimi me kanoe, varka, padle boards duke u kthyer në turizmin e aventurës për turistët që e vizitojnë çdo vit.
Në lundrimin me kanoe në lumin Buna mund të vëzhgosh shpendët të cilët ndodhen anës lumit. Në kallamishte ka disa lloje: çafka e vogël të bardhë (Egretta garzetta); pula e ujit (Gallinula chloropus); kllinza e zallit (Tringa glareola) apo shumë baltakë të tjerë që mund të vrojtohen lehtësisht me sy ose me mjete optike, teleskop apo dylbi.
Liqeni i Shkodrës ofron mundësi argëtimi dhe kënaqësie për të gjithë turistët që dëshirojnë të shijojnë turizmin aktiv. Ai është liqeni më i madh në Gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ekosistemi i liqenit ushqen faunën dhe florën e pasur dhe unike, duke e shndërruar atë në një qendër të rëndësishme biodiversiteti në Evropë.