AKTUALITET
FOTO/ VDIQ pas aksidentit me Jet Ski, ZBULOHET identiteti i 19-vjeçarit që humbi jetën në Velipojë
Mediat italiane kanë publikuar foton e djalit i cili mbeti i vrarë nga ky aksident.

20:43 | 19 GUSHT 2024
SHPËRNDA
Një ngjarje tragjike ka ndodhur të dielën në plazhin e Velipojës, ku 19-vjeçari italian Nicola Iorio humbi jetën pas një aksidenti me Jet Ski.
Mediat italiane kanë publikuar foton e djalit i cili mbeti i vrarë nga ky aksident.
Nicola Iorio dhe shoku i tij, Salvatore di Tella, ishin duke bërë xhiro me dy Jet Ski dhe u larguan një milje nga zona e sigurisë. Ata ishin nën efektin e alkoolit dhe po kryenin manovra të rrezikshme, që çuan në përplasjen fatale. Iorio u dërgua në Spitalin e Shkodrës, ku humbi jetën nga plagët në kokë dhe qafë.

Salvatore di Tella, 20 vjeç, është arrestuar nga policia shqiptare dhe është akuzuar për “vrasje nga pakujdesia”. Hetimi është në duar të prokurorisë së Shkodrës për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.
Në lidhje me këtë ngjarje, kryebashkiaku i Casal di Principe, Ottavio Corvino, ka shprehur ngushëllimet e tij në Facebook. Ai ka theksuar dhimbjen e thellë për humbjen e të riut dhe ka ofruar mbështetje për familjen e Iorios në këtë moment të vështirë.

Corvino shkroi: “Me dhimbje të thellë mësoj për vdekjen tragjike të Nicola Iorio, një nga bashkëqytetarët tanë vetëm 19 vjeç. Lajmi tronditi thellësisht komunitetin tonë. Në këtë moment dhimbjeje, dua të shpreh ngushëllimet më të thella për familjen e Nicolas dhe të ofroj çdo mbështetje të mundshme.”