Mjeku kirurg i QSUT-së, Arvin Dibra, i cili mbeti i plagosur aksidentalisht më 10 gusht, pasi u hodh për t’u larë në lumin Buna në Shkodër, është nisur të mërkurën pasdite (14 Gusht) drejt Italisë për mjekim më të specializuar, me një avion privat.
Burime pranë QSUT bënë me dije për “Report TV” dhe “Shqiptarja.com” se gjendja shëndetësore e doktorit të njohur, që ka dhe nënshtetësi italiane, ka ardhur në përmirësim, që pas ndërhyrjes kirurgjikale në pjesën e qafës, nga ku mori edhe dëmtime të shumta (pjesa e rruazave që lidhen me shtyllën kurrizore).
E megjithatë duhet kohë për rikuperimin e tij për shkak të plagëve serioze. Por situata e tij sipas bluzave të bardha vjen në përmirësim dhe mbahet nën trajtim intensiv. Mësohet se shërbimet ndaj mjekut për udhëtimin dhe trajtimin janë bërë të gjitha privatisht.
Nga dinamika e zbuluar prej hetimit për ngjarjen, shefi i Kirurgjisë ka qenë duke ngrënë drekë me familjen, në një lokal në Dajç, pranë bregut të Bunës. Ai është futur për t’u larë dhe është zhytur me kokë. Por fatkeqësisht është përplasur me gurët në thellësi dhe ka marrë dëmtime serioze.
Ngjarja ndodhi të shtunën e 10 gushtit, rreth orës 12:25. Fillimisht 52-vjeçari u transportua me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë, për ndërhyrje mjekësore më të specializuar dhe pas operacionit të parë pati përmirësime të lehta. Por më tej është rekomanduar nisja për në Itali, për mjekim edhe më të specializuar.
Prof.Dr. Arvin Dibra aktualisht është Shef i Klinikës 1 Kirurgjikale QSUT, si dhe drejtues i Departamentit të Kirurgjisë në Universitetin e Mjekësisë.