Pas rritjes së pagave në administratë, nisma që pritet të ndërmerret së afërmi nga qeveria është rritja e pensioneve, e cila vjen në formë indeksimi çdo vit bazuar në shportën e ushqimeve, por edhe në trajtë bonusesh, siç u dhanë dy të tilla vitin e shkuar.


Gazeta mëson se indeksimi i pritshëm pritet të ndodhë në muajin tetor dhe do të jetë në një masë të konsiderueshme, i krahasueshëm me atë të një viti më parë, ndonëse inflacioni vjetor shkon jo më shumë se 3 për qind. Por një opsion ende në fazë diskutimi është edhe indeksimi i diferencuar.

Në kuadër të reformës së pensioneve që pritet të finalizohet në fundin e këtij viti ekspertët po diskutojnë një formulë që të rrisë përfitimet për pensionet më të ulëta duke përdorur indeksimin. Prej vitesh indeksimi i pensioneve ka qenë në shifra të ulëta që kapnin nivelin e deri në 3 për qind. Sakaq, vitet e fundit si pasojë e situatave jo të zakonshme si pandemia apo rritja stratosferike e çmimeve si pasojë e luftës në Ukrainë, indeksimi ka ardhur në rritje të dukshme (sipas tabelës përbri).

Sidoqoftë, për pensionet e ulëta, kjo rritje është reflektuar në një masë të ulët, pasi bëhet në varësi të shumës që ata marrin dhe jo të përshkallëzuar. Në rang vendi numërohen mbi 767 mijë persona që trajtohen me pension pleqërie, si në fshat e qytet, invalidë, pensione familjare e të tjera si në tabelën përbri.


Ekspertët e fushës janë duke diskutuar një formulë që të mundësojë rritjen e pensioneve të ulëta me një vlerë më të madhe se të atyre më të larta. Aktualisht, indeksimi aplikohet në përqindje të inflacionit të mallrave të shportës së pensionistëve. Vitin e kaluar u aplikua një indeksim 8.6% (inflacioni i pensionistëve), por e përkthyer në vlerë, përfitimi është shumë i vogël për pensionet e ulëta se ato të larta. Psh., një pensionist në fshat që paguhet 10,000 lekë në muaj, mori rritje në tetor 2023 vetëm 860 lekë, ndërsa një pensionist që paguhet me 30 mijë lekë në muaj, përfitoi një shtesë 2,560 lekë, ose tri herë më të lartë.

Një opsion është rritja me vlerë fikse. Një tjetër opsion në diskutim është indeksimi i pensioneve me të njëjtën normë sa rritja e pagës mesatare. Sipas përcaktimeve të INSTAT, që bazohen në metodologji ndërkombëtare, një pensionist konsiderohet i varfër, nëse pagesa mujore është më pak se gjysma e pagës mesatare në shkallë vendi. Ky hendek është thelluar vitet e fundit dhe është përshpejtuar më shumë këtë vit. Në vitin 2023 pensioni mesatar ishte vetëm sa 26% e pagës mesatare mujore bruto, nga 31% që ishte ky raport më 2018.

Në vitin 2022, pensioni mesatar në qytet ishte sa 44.4% e pagës mesatare neto dhe 35% e pagës bruto. Këto raporte ishin përkatësisht 52% dhe 41% në vitin 2018. Të dhënat tregojnë për një rritje të pabarazisë ndërmjet shtresave të shoqërisë, në këtë rast të pensionistëve dhe personave të punësuar. Me gjasë, hendeku do të zgjerohet gjatë viteve të ardhshme, pasi tregu po sinjalizon rritje më të larta të pagave prej kushteve të reja që ka krijuar mungesa e fuqisë punëtore.


Pas një dekade anemike, pagat kanë nisur të lëvizin, ndonëse jo me ritme të larta. Në fund të vitit 2023, paga mesatare në shkallë vendi ishte 42% më e lartë se para pandemisë, duke u rritur nga 52,380 lekë në 75.025 lekë në fund të 2023. Në të njëjtën periudhë, pensioni mesatar nga niveli 16,256 lekë në vitin 2019 arriti në 17,306 lekë në 6-mujorin e parë të këtij viti, me një zgjerim vetëm 6%.