Sektori i turizmit po ngjall interes të shtuar nga viti në vit, duke tërhequr vizitorë të shumtë nga e gjithë bota, të cilët preferojnë jo vetëm detin, por edhe zonat malore, apo turizmin kulturor.
Për këtë arsye, qeveria po i jep më shumë rëndësi investimeve në këtë sektor, për të siguruar një rritje të qëndrueshme të tij. Në listën e projekteve unike me rëndësi kombëtare janë 7 projekte, që i dedikohen sektorit të turizmit dhe që kanë një shtrirje të gjerë.
Vlera totale e projekteve të parashikuara për t’u implementuar në sektorin e turizmit arrin në 359 milionë euro.
Konkretisht, projektet lidhen me mbështetjen për zhvillimin rajonal në zonat me potencial ekonomik në Shqipëri me vlerë 60 milionë euro. Një vëmendje i është dhënë edhe bregdetit me projektin mjedis i pastër dhe me aftësi ripërtëritëse “Deti Blu” me vlerë 75.5 milionë euro.
Turizmi i integruar rajonal dhe studimi i përmirësimit urban për projektin e portës së Alpeve kap një vlerë 88 milionë euro dhe synon zhvillimin e zonave malore.
Përmirësimi i infrastrukturës së turizmit dhe të biznesit të lidhur me të në zonën ndërkufitare në Alpet Shqiptare/ malet e Prokletijes është një tjetër projekt me vlerë 30 milionë euro që i dedikohet zonave malore.
Po ashtu parashikohet të zbatohet projekti për masa efektive ndërkufitare për konkurrencën, rritjen dhe zhvillimin e biznesit me vlerë 54 milionë euro
Zhvillimi i sipërmarrjes lokale dhe turizmit ndërkufitar përgjatë liqenit të Shkodrës përmes përmirësimeve në infrastrukturën e biznesit ka një vlerë prej 25 milionë euro.
Nga ana tjetër i është kushtuar vëmendje dhe juglindjes përmes projektit me rëndësi kombëtarë për përmirësimin e infrastrukturës së turizmit dhe biznesit në zonën ndërkufitare Korçë me vlerë 26.5 milionë euro.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.