Turistët kanë shtuar interes dhe për vizitat në parqet arkeologjike të Shqipërisë. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja ka publikuar shifrat ku shihet një rritje e konsiderueshme e vizitorëve.
Ndërkohë, referuar shifrave zyrtare në periudhën Janar-Korrik 2024, kemi 44.9% më shumë vizitorë në parqet arkeologjike duke krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ose 251,693 vizitorë në total. Kujtojmë që në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar pra janar-korrik në total kanë qenë 173,560 vizitorë të huaj dhe vendas.
Por cilët janë parqet më të vizituara në periudhën 7 mujore të këtij viti?
Sipas të njëjtave të dhëna, listën e parqeve më të vizituara e kryeson Parku arkeologjik Shkodër me 85,806 vizitorë, duke u pasuar nga Parku i Butrintit me 84.742 vizitorë në total. Ndërkohë Parku Arkeologjik Apolloni listohet i tret inga parqet arkeologjike më të vizituar duke arritur 68,469 vizitorë.
Rritja e vizitueshmërisë në parqet arkeologjike ashtu edhe nëpër institucionet e tjera të trashëgimisë kulturore, ka ardhur gjithnjë në rritje ashtu si edhe rritja e numrit të turistëve në vend.
Parqet arkeologjike janë hapësira ku natyra e bukur shqiptare ndërthuret me trashëgiminë kulturore. Dhe shifrat tregojnë se nga viti në vit vizitorët, shqiptarë e të huaj po kuptojnë vlerat që përcjellin hapësira të tilla.
Kalatë historike të Shqipërisë, muzetë dhe parqet falë restaurimeve të kryera viteve të fundit janë kthyer në atraksione tërheqës për turistët vendas dhe të huaj gjë cila reflektohet edhe në shifra të cilat janë në trend rritës nga viti në vit.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.