Akuza e ngritur për autorin e dyshuar të vrasjes së Egli Progës në Pogradec ka shkaktuar reagime të shumta. Nga akuza që Policia e kishte referuar si vrasje me dashje, prokuroja e çështjes Vasjana Postol kërkoi masën arrest me burg dhe lehtësoi akuzën në vrasje nga pakujdesia.


Pas ‘lumit’ të reagimeve në opinion publik mbi akuzën vrasje nga pakujdesia, Gjykata e Korçës ia la përgjegjësinë Prokurorisë. Në një deklaratë për mediat, Gjykata e Korçës ‘zhvishet’ nga përgjegjësia duke thënë se gjyqtarja Luljeta Kolonja më datë 12 gusht la në fuqi masën dhe akuzën e kërkuar nga prokurorja e çështjes.

Gjykata merr në mbrojtje vendimin e Kolonjës, duke thënë se çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe se në këtë fazë gjyqtari nuk mund të bëjë ndryshimin e veprës penale dhe as të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar. Kujtojmë këtu që tre personat e tjerë të arrestuar nën kauzën se fshehën ngjarjen janë lënë në masën detyrim paraqitje.


Pasi ka vlerësuar kërkesën e prokurorisë dhe përmbajtjen e akteve të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë të hetimit, gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës, duke e vlerësuar atë si të bazuar në ligj dhe në prova.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë nënvizon se në këtë fazë të procesit penal, në shqyrtimin e kërkesave për caktimin e masave të sigurimit personal, gjyqtari i hetimeve paraprake nuk mund të bëjë ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale për të cilën procedohet personi nën hetim dhe as të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar”, thuhet në reagimin e Gjykatës.

Gjykata thekson se në fund të hetimeve, do jetë gjyqtari më pas që do të vlerësojë përgjegjësisë penale të secilit person të përfshirë në vrasjen e 42-vjeçarit Egli Proga.


Reagimi i plotë i gjykatës

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, nisur nga rëndësia e ngjarjes dhe duke marrë shkas nga publikimet në median e shkruar dhe atë vizive, si dhe nga lajmet e publikuara në rrjetet sociale dhe portale të ndryshme për ngjarjen e ndodhur në qytetin e Pogradecit, në të cilën ka humbur jetën shtetasi Eglantin Proga, bën me dije sa më poshtë:

Në datë 12 gusht 2024, ora 15:30, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë është paraqitur pranë kësaj gjykate kërkesa për vleftësimin e arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” ndaj shtetasit D. M, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal dhe vleftësimin e arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasve V. Sh, A. M dhe L.G si të dyshuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga 300 i Kodit Penal.

Pasi ka vlerësuar kërkesën e prokurorisë dhe përmbajtjen e akteve të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë të hetimit, gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës, duke e vlerësuar atë si të bazuar në ligj dhe në prova.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë nënvizon se në këtë fazë të procesit penal, në shqyrtimin e kërkesave për caktimin e masave të sigurimit personal, gjyqtari i hetimeve paraprake nuk mund të bëjë ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale për të cilën procedohet personi nën hetim dhe as të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar.

Përcaktimi i plotë dhe saktë i rrethanave të faktit dhe përgjegjesisë penale të secilit person të përfshirë, i takon vijimit të hetimeve. Në përfundim të hetimeve, është gjyqtari i seancës paraprake i cili vlerëson plotësinë e tyre dhe cilësimin juridik të veprës penale.


Për këtë arsye, nxjerrja e përfundimeve në këtë fazë fillestare të hetimeve, nuk i shërben vijimit të tyre dhe as besimit të opinionit publik mbi punën organeve të sistemit të drejtësisë.

Nga ana tjetër, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë vëren me shqetësim disa artikuj të publikuar në media, të cilat synojnë apo tentojnë të denigrojnë figurën e gjyqtarit të çështjes, duke ritheksuar zbatimin e ligjit me korrektësi dhe saktësi maksimale në çdo rast.