61 bashkitë në Shqipëri shpenzojnë mesatarisht 20,858 lekë apo 208 euro për banor. Të dhënat zyrtare nga raporti i financave vendore, tregojnë se gjatë 2023-shit, bashkitë kanë shpenzuar 3,400 lekë apo 34 euro më shumë për banor se një vit më parë.
Nga këto, mesatarisht gjysma e këtyre shpenzimeve për banor është financuar nga të ardhurat e veta të bashkive dhe gjysma tjetër kryesisht nga transferta e pakushtëzuar dhe sektoriale.
Dallimet në strukturën e shpenzimeve vendore sipas madhësisë së popullsisë vërehen qartë edhe në analizën e shpenzimeve sipas natyrës ekonomike. Tirana ka mesatarisht shpenzimet më të larta për banor për të gjitha kategoritë e shpenzimeve.
Sipas raporti, shpenzimet e personelit janë mesatarisht 9,871 lekë për banor për të gjitha bashkitë. Në bashkitë e vogla shpenzimet e personelit janë mesatarisht 10,631 lekë për banor, ose 8% më të larta se mesatarja kombëtare.
Ndër bashkitë e vogla me popullsi nën 50 mijë banorë, ka të paktën 19 bashki ku shpenzimet e personelit për banor e tejkalojnë mesataren kombëtare me 15% – 84%, ndërkohë që të paktën gjysma kanë shpenzime më të ulëta se mesatarja kombëtare. Bashkitë e mesme dhe të mëdha, ku shpeznimet e personelit për frymë luhaten mes 6,000 lekë (Kurbini) dhe 9,928 lekë (Kukësi), kanë shpenzime mesatare për personelin më të ulëta se mesatarja kombëtare, ndërsa në Tiranë këto janë rreth 15% më të larta se mesatarja kombëtare.
Referuar raportit, shpenzimet mesatare për investime për çdo banor janë më të lartat në bashkinë Tiranë (dyfishi i mesatares kombëtare) dhe mesatarisht më të ulëtat në dhjetë bashkitë e mesme. Investimet për banor janë lehtësisht më të larta se mesatarja kombëtare në bashkitë e vogla. Mesatarja e bashkive të vogla rritet për shkak të investimeve shumë të larta për banor në bashkinë Himarë gjatë vitit 2023 (23,436 lekë për banor); por mbetet më e lartë se mesatarja kombëtare dhe e bashkive më të mëdha edhe pa llogaritur Himarën.
Sipas raporti të njësive të vetëqeverisjes vendore, gjatë vitit 2023, bashkitë me vlerën më të vogël të shpenzimeve të investimeve për banor janë bashkia Peqin me rreth 580 lekë për banor, bashkia Tepelenë (650 lekë për banor) dhe Libohovë (835 lekë për banor).
Edhe bashki të mesme (si Kavaja, Kurbini) dhe të mëdha (si Vlora), kanë kryer shumë pak investime për banor gjatë periudhës në fjalë, mes 1,200 dhe 1,400 lekë për banor. Nga ana tjetër bashkitë me shpenzimet më të mëdha për investime në raport me banorët gjatë vitit 2023, janë bashkia Himarë me rreth 23.4 mijë lekë, bashkia Kamëz (13.4 mijë lekë) dhe Përmet (11.7 mijë lekë).
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.