Bashkia Shkodër organizon më 15 gusht, “Ditën e liqenit”, një aktivitet që vjen si një thirrje për rikthim në traditë dhe që promovon liqenin e Shkodrës në një dimension tjetër.
“Kjo ngjarje pritet të japë një shije të freskët të çdo elementi që e karakterizon, një rrugëtim që gërsheton etnon me ekon dhe bashkëkohoren”, shkruhet në faqen online të Bashkisë Shkodër.
Programi përfshin shëtitjet me varka e kanoe, një kënd për fëmijët ku në gurët tipikë të asaj zone do të pikturohen imazhe të ndryshme në lidhje me liqenin, panairin e artizanëve me produkte lokale që vënë në pah autenticitetin e kësaj zone dhe instalacionin artistik “Zogjtë”, që është një thirrje për të rinjtë që kanë krijuar kazafe mendore ndërkohë që në vendin e tyre dita-ditës po humbasin një liri që supozohet se do ta gjejnë në një vend tjetër.
Në muzg do të mbahet një koncert i hapur që ndërthur traditën me notat elegante të pianos nga pianisti i mirënjohur Robert Bisha.
Sigurisht, kjo do të shoqërohet me pamjet dehëse të liqenit të Shkodrës dhe peizazheve të gjalla të jetës në fshat.
Koncerti do të jetë i hapur për çdo banor të këtij fshati por edhe per çdo turist kurioz që dëshiron të ketë kontakt me diçka që shkon përtej klisheve.