Nga Kabil Bushati
Memorie.al / Ulqini, një qytet i vogël buzë Adriatikut, deri në vitin 1878, ishte pothuajse i panjohur për Evropën, por pastaj pushtoi gazetat evropiane, duke raportuar për rezistencën shqiptare, kundër të gjithëve. Fama e kësaj lufte, kaloi edhe Atlantikun dhe pushtoi faqet e gazetës “New York Times”. Ishte një nga perlat e Adriatikut, që po i shkëputej Shqipërisë me forcë, nga Kongresi i Berlinit. Fama e kësaj lufte kaloi edhe Atlantikun dhe pushtoi faqet e gazetës “New York Times”. Ishte porti më i rëndësishëm në veri, nëpërmjet të cilit Shkodra zhvillonte tregtinë e saj në Mesdhe e më gjerë.
Ishte një nga portet gravitante të Shkodrës. Me vendim të Kongresit të Berlinit, Ulqini, Tivari dhe një pjesë e Vilajetit të Shkodrës, iu falën Malit të Zi. Në vitin 1860, Ulqini kishte 190 anije lundrimi; aktualisht ajo ka jo më shumë se 80 deri 90 anije të angazhuara ekskluzivisht, në një tregti përgjatë bregut. Dikur, para ekzistencës së një flote të veçantë austriake, Ulqini, ishte një bazë piratësh famëkeq, i cili kishte të ankoruar plotësisht 400 anije piratësh. Në atë periudhë, qyteti i ri kishte 2800 banorë, shqiptarë muhamedanë, dymbëdhjetë familje serbe, me rreth tetëdhjetë persona, që i përkasin Kishës Ortodokse Greke, tetë familje katolike shqiptare, me dyzet persona dhe rreth një duzinë të kasolleve të banuara, nga tetëdhjetë jevgj.
Në Kongresin e Berlinit, Mali i Zi kishte hyrë me një sipërfaqe prej gjithsejtë 4.700 km. 2, por pas përfundimit të Kongresit, ajo doli me një sipërfaqe të dyfishuar: me 9.100 km. 2, plus me dalje në Adriatik, me të drejtën e lundrimit të anijeve të tij, nëpër liqenin e Shkodrës dhe nëpër lumin e Bunës, si dhe me njohjen ndërkombëtare të pavarësisë. Edhe Buna u nda përgjysmë. Po krijohej shteti i Malit të Zi, në kurriz të Shkodrës?!
Për Ulqinin, më tërheqë vëmendjen edhe roli në këtë ngjarje kruciale të historisë sonë, i familjes Dragusha në përgjithësi, dhe i tre vëllezërve: Ibrahim, Abdyl-Fetah dhe Hysen, të kësaj shtëpie në veçanti. Kjo shtëpi, qëndronte si kështjellë hijerëndë në mes të Perashit. Kishte përreth shtëpitë e nderuara të Reçve, Kalaceve, Kamatave e Dajti. Familja e Shaban Aga Dragushës, ishte shumë e vjetër në Shkodër, djemtë e saj kishin filluar të bënin emër në Shkodër. Kishte pesë djem, por dy i vdiqën herët. Djali i madh, u emërua komandant kufiri në Shkodër, duke dhënë kështu një ndihmesë në futjen në marrëdhënie tregtare të Hysenit, i cili e rimëkëmbi ekonominë e familjes, pasi fitimet ishin shumë të mëdha, në atë kohë që tregtia zhvillohej përmes lumit Bunë.
Ndërsa dy vëllezërit e tjerë, Ibrahimi dhe Abdyl-Fetahu, kryen medresetë, madje Abdyl-Fetahu, shkoi në Stamboll, ku u diplomua në sferën e Teologjisë. Dashuria dhe abnegacioni për atdheun i këtyre vëllezërve, gjeti shprehjen e vet më të lartë, kur nga diplomacia evropiane, tokat shqiptare u projektuan për të shuar urinë e pangopur të fqinjëve tanë shovinistë. Në vitet e Lidhjes së Prizrenit, shpërthyen energjitë e tyre me potencialin e vet të plotë. Emrat e të dyve, Hysenit e Abdyl-Fetahut, pasqyrohen në listat e komisioneve të degës së Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën, ose siç quhej në zhargonin popullor “Lufta e Miletit”, ndërsa vëllai tjetër, lbrahimi, bënte pjesë në Komisionin Ekzekutiv të Degës.
Nënshkrimin e tij, e gjejmë ngjitur atij të Daut Efendi Boriçit, dhe anëtarëve të tjerë të degës, në lutjen që u pati drejtuar konsujve që ndodheshin në Shkodër, për të shpëtuar Hotin e Grudën, nga aneksimi i Malit të Zi. Një gjë të tillë, e gjejmë edhe në protestën e hartuar për mbrojtjen e Ulqinit. Ai qe i pranishëm në bisedën telegrafike, që u zhvillua me ministrin e Luftës, H. Pashën, me 27 gusht 1880, nga zyra postare e Shkodrës. Duke pasur parasysh se, Shkodra e pati në qendër të vëmendjes sistemimin e refugjatëve të shumtë, që kishin vërshuar në qytet nga trevat kufitare, si: Podgorica, Shpuza, Zhabjaku e Nikshiqi, nuk gabojmë të supozojmë se, në komisionin përkatës, duhet të ketë qenë aktivizuar ndonjëri nga vëllezërit Dragusha.
Po citojmë nga “Letrat e vëllezërve Çoba”, një pasazh, ku pohohet pikërisht roli i mësipërm në ngjarjet në fjalë: “…Komisioni, ngarkoi Hys Dragushën që ta këshillonte Filip Beroviqin: Rrudhe gojën e rri rahat, në punën tande”, sepse ndryshe mund ta pësonte me qëndrimin e tij. Për vëllezërit Dragusha, bëhet fjalë edhe në dokumentet e arkivave austriake: ku raportohet se; këta s’po linin gurë pa lëvizur, për të penguar dorëzimin e Podgoricës, Malit të Zi, nga ana e Turqisë, duke e shpjeguar këtë interesim të tyre, me faktin që, gjoja, kjo braktisje, do të prekte interesat e familjes Dragusha.
Ndërkohë, Fuqitë e Mëdha, ndërhynin në mënyrë diplomatike te Porta e Lartë, por si gjithnjë, duke mos dashur të hynin në luftë me shqiptarët. Perandoria, zvarriste dorëzimin qëllimisht. Për ta vënë para aktit të kryer, Gladston – Kryeministër i Anglisë – mendon të bëjë kusurimin e porteve të Perandorisë Osmane, e sidomos portin e Izmirit, me qëllim që ta ketë si garanci e material, për Ulqinin. Këta hapa të rinj të Anglisë, e detyruan Turqinë, që të ndërmerrte masa serioze, për dorëzimin e Ulqinit, Malit të Zi.
Frika e pushtimit të Izmirit, ku nxirreshin të ardhurat doganore më të mëdha të Perandorisë, e bindi Turqinë, se çështja e Ulqinit, s’mund të vijonte më gjatë dhe u përgjigj se; do të merrte masa, për ta dorëzuar menjëherë. Duke parë se Turqia ishte vënë me shpatulla pas murit dhe nuk mund të vepronte ndryshe, Komisioni i Lidhjes së Prizrenit, iu përgjigj flakë për flakë me vepra konkrete.
Nga këto materiale, kuptohet gjithashtu se vëllezërit Hysen e Fetah, ishin anëtarë të komisionit të Lidhjes dhe se kishin miqësi me konsullin anglez Green, provë se ishin njerëz me ndikim. Duke qenë se përkushtimi i tre vëllezërve Dragusha, ndaj çështjes së trojeve shqiptare, nuk përputhej me politikën e ndjekur nga austriakët dhe diplomacia evropiane, konsulli austriak, shpreh konsiderata jo miqësore, në adresë të tyre, veçanërisht për Abdyl Fetahun, sepse, duke iu referuar Hysenit, e karakterizon kështu: “…I vëllai i Hoxhë Dragushës (lexo: Abdyl-Fetahut, shënimi ynë), qi njihet si përzimtar e ngatërrestar i rrezikshëm”. Pra, nuk lanë mënyrë e formë pa e diskredituar Hysenin, por opinioni në popull, fliste ndryshe. Malazezët, tentonin të siguronin shqiptarët se, nuk ishte Mali i Zi, ai që kërkonte të aneksonte Ulqini e Tivarin, por kështu, kishin vendosur Fuqitë e Mëdha evropiane.
Krajl Nikolla, shqetësohet shumë nga gjendja e paparashikuar dhe nxiton të sigurojë shqiptarët se, nuk dëshiron aspak të sulmojë më Shqipërinë. Por Lidhja, tejkalon tashmë vetveten dhe jep urdhër, të sulmohet Mali i Zi. Vetëm ndërhyrja e Fuqive të Mëdha, do të jetë agjenti i jashtëm, që do të shpëtojë Malin e Zi, nga mësymja shqiptare. Kishin kaluar dy vjet nga Kongresi famëkeq i Berlinit dhe çështja e kufirit, midis Portës së Lartë dhe Malit të Zi, nuk ishte zgjidhur. Shqiptarët, ndodheshin në pozicione të sigurta dhe nuk lëshonin troje. Me propozim të Austro-Hungarisë, hidhet ideja që Malit të Zi, t`i jepet qyteti i Ulqinit me rrethinat, sepse edhe pozita e tij gjeografike, ishte më e favorshme se krahinat e mëparshme, të cilat ishin malore. Pasi merr miratimin e Fuqive të Mëdha, ushtria e Malit të Zi, lëviz drejt qytetit të Ulqinit, e organizuar në 22 batalione.
Lidhja, nga ana e saj, ngarkon degën e Shkodrës, për organizimin e mbrojtjes së qytetit. Thirrjes, i përgjigjen menjëherë 270 shkodranë dhe pas tyre, niset edhe komandanti i përgjithshëm, i caktuar nga Lidhja, për mbrojtjen e Ulqinit, Jusuf agë Sokoli, me 500 shkodranë të tjerë. Këtij i bashkohen edhe 300 shqiptarë të tjerë, nën komandën e Haxhi Mehmet Becit, e Mehmet Gjylit.
Qeveria e Stambollit, mori masa të tjera shtrënguese kundër shkodranëve, për të siguruar dorëzimin pa luftë të Ulqinit. Ajo vendosi të përfitonte nga përçarja që u thellua në Kuvendin e Dibrës dhe t’i jepte fund qëndresës së Lidhjes, për mbrojtjen e Ulqinit. Më 25 tetor 1880, Porta e Lartë, largoi nga Shkodra gjeneral Riza Pashën dhe në vend të tij, dërgoi mareshal Dervish Pashën, të shoqëruar nga 21 batalione dhe të pajisur me fuqi të jashtëzakonshme.
Ai u emërua komisar i jashtëzakonshëm dhe kryekomandant i Vilajetit të Shkodrës. Për të shmangur pusitë e forcave shqiptare, Dervish Pasha udhëtoi nga Stambolli në Shqipëri me anije. Sapo arriti në Shkodër, më 3 nëntor 1880, ai i dha një ultimatum Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës për të tërhequr vullnetarët shqiptarë nga Ulqini. Para dhe gjatë Kongresit të Berlinit, delegati i Malit të Zi në Kongres, deklaronte se; të drejtat e Malit të Zi, duhet të jenë më të zgjeruara. Ai theksonte posaçërisht, vijën kufitare me Shqipërinë dhe dëshmoi se pa tokat pjellore në bregdet, Mali i Zi, nuk do të mund të jetonte. Ndërsa konti Petar Shuvalloviq, me urdhër të qeverisë tij ruse, kërkoi prej Kongresit, që Malit të Zi, t’i jepej rajoni i kërkuar deri në Bunë dhe Shkodër. Mali i Zi, nuk ishte i kënaqur me vendimet e Kongresit të Berlinit.
Këtë, e shprehte edhe princ Nikolla, kur theksonte: “Më e rëndë për mua, është që jashtë kufijve, mbeten lumi Buna, arterie e jetës sonë dhe Ulqini”. Princi, e urdhëroi Stanko Radoniqin që, përpara se të përshëndetej e të largohej nga Berlini, të njoftonte çdo anëtar të Kongresit, se Mali i Zi, nuk është shpërblyer drejt dhe se kufijtë e rinj, janë caktuar në mënyrë të padrejtë. Kjo tregonte se nga Kongresi i Berlinit, Mali i Zi, kishte tendenca bregdetin dhe portet e tij, prapa të cilave, qëndronte diplomacia ruse. Mosrealizimi i vendimeve të Kongresit të Berlinit, nga Porta e Lartë, si rezultat i së cilave në skenën ndërkombëtare, Fuqitë e Mëdha, nxorën çështjen e Ulqinit, bëri që diplomacia ruse, të shkonte drejt qëllimit të saj, për dominimin në Ballkan dhe Mesdhe.
Presioni i Rusisë, në drejtim të fuqive të mëdha, për dorëzimin e Ulqinit, bëri që të merreshin të gjitha masat dhe t’i jepej ultimatum i fundit Portës së Lartë, në zbatimin e marrëveshjes. Autorizimi i Dervish Pashës, për zbatimin e marrëveshjes, tregonte vendosmërinë e Portës së Lartë, në realizimin përfundimtar të marrëveshjes. Fuqitë e Mëdha, e kërcënuan Perandorinë Osmane, se po të mos e detyronte me forcë Lidhjen e Prizrenit, që kjo t’ia dorëzonte Ulqinin, Malit të Zi, ato do të ndërhynin në Ulqin, me flotën e tyre luftarake dhe në të njëjtën kohë do të zbarkonin në skelën turke të Izmirit. Komiteti i Lidhjes Shqiptare për Ulqinin, u përgjigj duke shpallur se; për të mbrojtur trojet e tyre dhe atdheun e tyre, shqiptarët ishin të vendosur, për të luftuar edhe kundër Perandorisë Osmane, ose Fuqive të Mëdha.
Dervish Pasha, në fillim, përdori aspektin diplomatik, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje me shqiptarët, që në mënyrë paqësore, të bëhet dorëzimi i Ulqinit. Frika nga pushtimi i Stambollit, në rast se nuk dorëzohej Ulqini, ishte raporti i kapitenit Sale, më 10 nëntor 1880, ku thoshte se; Dervish Pasha, bën thirrje te shqiptarët e Shkodrës, se duhet medoemos, të behet dorëzimi i Ulqinit. Në këtë kohë, treva e Ulqinit, ndodhej nën kontrollin e forcave vullnetare, të Lidhjes Shqiptare, që drejtoheshin nga shtabi ushtarak, i formuar për mbrojtjen e Ulqinit. Nën drejtimin e tij, sipas të dhënave më të sakta, qenë 2 mijë vullnetarë, të vendosur në Ulqin (nga të cilët 800 ulqinakë) dhe 2 mijë të tjerë, në sektorin e Tuzit.
Në fillim të nëntorit, kur Dervish Pasha ishte vendosur tanimë në Shkodër, mbërritën këtu qindra vullnetarë të tjerë nga Tetova, Shkreli, Dibra e Kelmendi dhe pritej të vinin rreth 4 mijë të tjerë, nga Prizreni, Gjakova e nga Dibra. Presionet që Dervish Pasha bëri, nga 7 deri në 16 nëntor 1880, ndaj Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes për Shkodrën, për ta detyruar të dorëzonte Ulqinin, nuk dhanë rezultat. Edhe Komiteti i Lidhjes për Ulqinin, në peticionin që u dërgoi më 16 nëntor, Fuqive të Mëdha, shprehte vendosmërinë për mbrojtjen e qytetit. Fryma e qëndresës, kishte përfshirë gjithë popullsinë e qytetit.
Për të shpejtuar dorëzimin e Ulqinit, u angazhuan konsulli anglez (K. Grini) dhe ai austro-hungarez (F. Lipih) në Shkodër, të cilët, në marrëveshje me Dervish Pashën, ushtruan trysni mbi Komitetin Ndërkrahinor të Shkodrës, për ta bindur të hiqte dorë nga mbrojtja e Ulqinit.
Përkundrejt kësaj, konsujt e huaj, do të ndërhynin pranë sulltanit për t’u dhënë shqiptarëve të drejtat autonomiste. Përballë trysnisë së Dervish Pashës dhe premtimeve të konsujve të huaj, më 17 nëntor 1880, shumë anëtarë të Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës, deklaruan se hiqnin dorë nga qëndresa e armatosur në Ulqin. Ndërkohë, edhe mjaft nga përfaqësuesit e krahut të moderuar, kishin kapitulluar para Dervish Pashës dhe patën shkuar aq larg, sa disa ditë më pare, kishin lajmëruar telegrafisht Kuvendin e Dibrës, se nuk kishin nevojë për ndihma, pasi kishin vendosur ta dorëzonin qytetin.
Kapitullimi i tyre, shkaktoi revoltimin e atdhetarëve shkodranë, të cilët, formuan një komitet të ri të Lidhjes Shqiptare, për Shkodrën. Në komitetin e ri, që u ngrit më 19 nëntor 1880, hynë partizanët e vendosur të mbrojtjes me armë të Ulqinit, si Selim Efendi Çoba, Isuf Sokoli, Fetah Dragusha, Filip Çeka, Ahmet Efendi Bushati etj.
Tri ditë më vonë, më 22 nëntor 1880, ndërsa Shkodra nuk e kishte kapërcyer ende krizën e brendshme politike, Dervish Pasha, i dha urdhër ushtrisë turke, të fillonte marshimin për në Ulqin. Atë ditë, ushtritë turke u ndeshën me forcat shqiptare te Kodra e Kuqe, afër fshatit Klesna. Në fillim, vullnetarët shqiptarë i sprapsën ushtritë turke, por më vonë, pasi arritën reparte të tjera osmane, të pajisura me artileri moderne, forcat shqiptare u thyen. Komandanti i tyre, Isuf Sokoli, u plagos rëndë dhe pak më vonë, vdiq.
“Nga ana e shqiptarëve, ià nisi pushkën i pari, Abdyl-Fetah Dragusha, e pas tij të tjerët. Osman Pasha, me të shpejtë, i dha urdhën ushtrisë, që të sulmojë, mirëpo në fillim, kjo u thye e pastaj, duke i ardhë ndihma të reja, sulmoi prap…”, ndërsa Xhevat Repishti, e zgjeron kuadrin: “Janë shqiptarët që, mbasi dëgjuan fjalët e një aktivisti të shquar të Komitetit të Shkodrës, Abdyl-Fetah Dragusha – Vëllezër, të vdesim për besën e dhënë (besën shqiptare) e për vatanin, me guxim të rrallë, sulen mbi turqit, pa marrë parasysh epërsinë numerike, si dhe artilerinë”.
Në vetë dokumentet e kohës, thuhet: “Më në fund, njëri nga anëtarët e Lidhjes, duke iu bërë thirrje të vetëve, për të mbrojtur besën dhe atdheun, qëlloi mbi turqit”. Akti i tij heroik, u përjetësua dhe nga poeti anonim:
“Komisioni i këtij mileti
Na ish mbledhë n’shtëpi të Dragushës
Kush u ba sebep ma i pari?
-Hoxhë Dragusha qiti pushkë…”!
Pasi u thye ushtria shqiptare, forcat turke vazhduan marshimin dhe hynë në Ulqin, më 23 nëntor 1880, të cilin pastaj, më 26 nëntor, ua dorëzuan ushtrive malazeze. Së bashku me dorëzimin e Ulqinit, mori fund edhe çështja e kufijve veriorë, e cila kishte shqetësuar për gati 30 muaj, jo vetëm Perandorinë Osmane, por edhe diplomacinë evropiane. Megjithatë, edhe pse çështja e kufirit turko-malazez u mbyll, lufta që zhvilluan shqiptarët kundër shantazhit brutal të Fuqive të Mëdha dhe ndërhyrjes ushtarake të Portës së Lartë, la përshtypje të thellë në opinionin publik të Evropës. Jo vetëm në shtyp, por edhe në disa parlamente të Evropës, u ngritën zëra proteste, kundër politikës së Fuqive të Mëdha, të cilat vendosën të përdornin luftanijet për të shtypur të drejtat kombëtare të popullit shqiptar.
“Vija kufitare, tërësisht në rregull, ia dha Tivarin Malit të Zi, por për këtë, hapësira e Ulqinit u nxor me dhunë nga interesat ekonomike të rajonit të Shkodrës dhe iu bashkëngjit krijesës së huaj, shtetit fantazmë të Malit të Zi”, – shkruante studiuesi çek, Viktor Dvorski, duke theksuar se, për malazezët, Ulqini ishte “i largët, i huaj për nga gjuha, feja dhe mundësitë ekonomike”. Pas hyrjes së trupave malazeze, Ulqinin e braktisën 413 familje, me rreth tre mijë anëtarë, që bënte madje, 40 për qind të popullatës qytetare, të cilët kryesisht, u shpërngulën në Shkodër dhe Durrës. Pronat e tyre, i morën malazezët. Disa ardhacakë, merrnin gurët nga bedenat e Kalasë, për të ndërtuar shtëpitë e tyre.
Krajl Nikolla, thuri një vjershë për Ulqinin, këtë perlë që iu hoq nga trupi i Shkodrës. Në akomodimin e ulqinakëve në Shkodër, luajti një rol të rëndësishëm edhe Abdyl-Fetah Dragusha, duke u marrë me organizimin dhe sistemimin e tyre. Abdyl-Fetah Dragusha, vdiq diku nga viti 1892, duke lënë një kujtim të nderuar për veten dhe familjen. Vëllezërit Dragusha, lanë shumë nipa e mbesa dhe sot, kanë dhjetëra stërnipa e stërmbesa. Diktatura komuniste, e trajtoi këtë familje shumë mizorisht. Mustafë (Caf) Hysen Dragusha, u dënua me pushkatim në vitin 1948 pas një kalvari në hetuesi. U pushkatua për Kryengritjen Antikomuniste të Postribës. Gjithashtu, pjesëtarë të kësaj familjeje, kanë vuajtur në burgjet e komunizmit, 33 vite burg. Sa i hidhur ishte fati i kësaj familjeje…! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”