Velipojë
Si rezultat i aplikimit të metodave proaktive, zbardhet ngjarja e ndodhur në fshatin Rrjoll, ku iu vendos lëndë eksplozive lokalit në pronësi të shtetasit A. D..
Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga njëri nga autorët e dyshuar të vendosjes së lëndës eksplozive.
28-vjeçari i arrestuar, me precedent të theksuar kriminal në fushat e krimeve kundër personit dhe pronës.
Vijon intensivisht puna për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër të kësaj ngjarjeje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit dhe Pronës të DVP Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i informacioneve të siguruara dhe aplikimit të metodave proaktive, bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 30.07.2024, në fshatin Rrjoll, Velipojë.
Gjithashtu, bënë të mundur identifikimi, kapjen dhe ndalimin e shtetasit E. Gj., 28 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se 28-vjeçari, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, më datë 30.07.2024, në fshatin Rrjoll, kanë hedhur një sasi lënde eksplozive në tarracën e një lokali (bar dhe restorant) në pronësi të shtetasit A. D., duke shkatuar dëme materiale.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna intensive për identifikimin e autorit tjetër të kësaj ngjarjeje, si dhe të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.