Lufta me flakët është bërë fenomen i përvitshëm në Shqipëri, dhe mesa duket formula për të dalë në një zgjidhje përfundimtare nuk po gjendet. Bilanc nuk ka, por me qindra hektarët pyje e kullota janë djegur nga zjarret që kanë shpërthyer nga veriu në jug dhe sa raportohet për një vatër të shuar, të tjera aktivizohen.
Por teksa beteja për të shmangur zjarret duket e humbur, miliona euro harxhohen nga buxhetet e pushtetit vendor e qendror për mbrojtjen nga zjarret.
Vetëm për këtë vit buxheti i shtetit përmes transfertës së pakushtëzuar ju ka dhënë bashkive 1 miliardë e 546 milionë lekë (15.1 milionë euro) për t’u mbrojtur nga zjarret. Me rritje të lehtë krahasuar me vjet kur në dispozicion njësitë e pushtetit vendor kishin 1.4 miliardë lekë. Pjesën më të madhe të këtij buxheti e merr Bashkia Tiranë (134,539 mijë lekë), Kukës (62,699 mijë lekë), Durrës (58,109 mijë lekë), Kamëz (52,696 mijë lekë), Vlorë (48,566 mijë lekë) dhe Shkodër (46,597 mijë lekë).
Ndërkohë në vlerë rekord të lartë është buxheti i këtij viti për Emergjencat Civile, strukturë e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila përgjigjet për pasojat nga fenomenet natyrore, përmbytjet, zjarret apo tërmetet. Janë 5 miliardë e 382 milionë lekë fundet në dispozicion të emergjencave nga 4.3 miliardë lekë që ishte vlera vjet. Pra në total janë 6.9 miliardë lekë (70 mln euro) të dedikuara për mbrojtjen nga zjarret dhe për emergjencat civile këtë vit.
Përtej këtyre fondeve, vetë bashkitë janë të detyruara me ligj që të ndajnë nga buxheti që i vihet në dispozicion nga qeveria 4% vetëm për fatkeqësitë natyrore dhe mbrojtjen civile. Por mesa duket këto para nuk janë të mjaftueshme për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit dhe për të shmangur dëmet e mëdha.
Pak javë më parë Banka Botërore në raportin e saj për ndryshimet klimatike sugjeronte që Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në 10 vitet e ardhshme për mbrojtjen nga ndryshimet klimatike. Në raport thuhej se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përjetuar zjarre 21% më shumë në dekadën e fundit si rezultat i thatësirës dhe temperaturave ekstreme.
BUXHETI PËR MBROJTJEN NGA ZJARRI
Emergjencat civile 5,382,050,000 lekë
Mbrojtje nga zjarri 1,546,805,000 lekë
Total 6,928,855,000 lekë
FONDET PËR MBROJTJEN NGA ZJARRI
Tiranë 134,539 mijë lekë
Kukës 62,699 mijë lekë
Durrës 58,109 mijë lekë
Kamëz 52,696 mijë lekë
Vlorë 48,566 mijë lekë
Shkodër 46,597 mijë lekë
Lezhë 43,195 mijë lekë
Elbasan 40,220 mijë lekë
Fier 39,455 mijë lekë
Berat 36,740 mijë lekë
Korçë 35,124 mijë lekë
Malësi e Madhe 31,408 mijë lekë