Rreth 41.2% e ujërave larës në Shqipëri kanë cilësi “të shkëlqyer”, ndërsa 15.1% e tyre kanë cilësi “të dobët”. Kështu e ka klasifikuar Agjencia Evropiane e Mjedisit cilësinë e ujit në bregdetet, liqenet dhe lumenjtë e vendit tonë. Në raportin e publikuar nga kjo agjenci, rreth 37% e ujërave larës në Shqipëri janë renditur me cilësi “të mirë”, ndërsa 6.7% e tyre kanë cilësi “të pranueshme”.


Cilësia e ujërave larës matet përmes dy parametrave mikrobiologjikë që janë të përcaktuara në Direktivën e Bashkimit Evropian për Ujërat Larës. Rreth 85% e të gjithë ujërave larës në vendin tonë janë në përputhje me standardet minimale të cilësisë në këtë direktivë.


Cilësia e ujit në det dhe në vijën bregdetare ka rënë gjatë vitit 2023, ndërsa për sa i përket ujërave në lumenj dhe liqene, cilësia e tyre është përmirësuar ndjeshëm. Në vitin 2020 është shënuar cilësia më e lartë e ujërave ndonjëherë, ku gati 77% e tyre morën vlerësimin “cilësi e shkëlqyer”, ndërkohë që vetëm 4.2% e tyre nuk përmbushnin asnjë prej standardeve. Kjo tregon se cilësia e ujërave në Shqipëri po përkeqësohet nga viti në vit.

Po si paraqitet konkretisht cilësia e ujërave sipas zonave bregdetare?

Bregdeti në Vlorë, Liqeni i Ohrit në Pogradec dhe Gjiri i Midhjeve në Sarandë janë renditur si zonat me cilësinë më të dobët të ujërave. Ndërkohë Ksamili, Velipoja, Shëngjini dhe pjesërisht vija bregdetare në Durrës, konsiderohen me ujëra të një cilësie të mirë.

Agjencia Evropiane e Mjedisit ka përdorur 1071 monstra për të vlerësuar cilësinë e 119 ujërave larës në Shqipëri, përkatësisht të atyre në 113 zona bregdetare dhe të 6 lumenjve e liqeneve.

Material i përgatitur nga portali SCAN TV.