Në Fletoren Zyrtare është botuar vendimi “Për miratimin e planit të menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet për disa zona, ku ekziston rreziku potencial nga përmbytjet ose ka gjasa të ndodhin përmbytje”.
Ky vendim fokusin e ka në zonat e veriut të Shqipërisë duke nisur nga disa njësi administrative të Shkodrës, Ana e Malit, Bërdicë, Dajç, Guri i Zi, Rrethina e të Velipojës etj.
Sipas vendimit është vendosur që ky plan të fillojë zbatimin e tij këtë vit. Por cilat janë objektivat kryesorë dhe çfarë parashikon zbatimi i planit të menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet?
Referuar planit, objektivi kryesor i PMRP është ngritja e nivelit aktual të menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet, duke u përqendruar veçanërisht në masat jo strukturore, si paralajmërimi, informimi, gatishmëria dhe planifikimi si dhe masat strukturore, të identifikuara dhe parashikuara për zbatim në bashkëpunim me të gjithë aktorët përkatës përfshirë këtu edhe njerëzit, organizatat, administratat dhe bizneset.
Më konkretisht plani i masave që ai parashikon për zbatim, i shërben arritjes së objektivave kryesore të përcaktuara si më poshtë. Si fillim duhet një përmirësim i kapaciteteve organizative dhe profesionale për menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet, më pas parandalimi i rreziqeve të reja si dhe reduktimin e rreziqeve ekzistuese në zonat e rrezikuara për përmbytje. Gjithashtu ky plan objektiv ka reduktim të pasojave negative gjatë dhe pas një ngjarjeje përmbytjeje.
Plani i Menaxhimit të Rrezikut të Përmbytjeve është plani parë i cili është me të gjitha parametrat sipas kërkesave të Direktivës kuadër të përmbytjeve e cila do të zhvillohet dhe miratohet në Shqipëri. Zbatimi i këtij plani do të monitorohet në vëjimësi nga Agjencia e Menaxhimit të burimeve ujore ku do të fokusohet në nivelin e arritjes së objektivave të planit.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.