Punimet për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit do të nisin në vitin 2025, teksa në Fletoren Zyrtare është publikuar një nga marrëvëshjet e kredisë për financimin e kësaj vepre, ku jepen të gjitha detajet që pëmban projekti.


Sipas dokumentit, punimet kryesore do të përfshijë modernizimin e rreth 120 km rrugë të përhershme midis Vorës dhe Hanit të Hotit për të arritur shpejtësi maksimale operimi 100–120 km/orë.


Punimet do të përfshijnë zgjerim deri në 6.6 m dhe forcim të formacionit, zëvendësim ose rehabilitim të rreth 12 urave kryesore, plus urave dhe kanaleve të tjera të vogla, si dhe zgjerim dhe modernizim të tunelit të Lezhës. Po ashtu, do të kryhet ndërrimi i superstrukturës, si dhe ndërtimi, zëvendësimi ose rehabilitimi i rreth 13 stacioneve. Gjithashtu, parashikohet instalimi i nivelit 1 të Sistemit Evropian të Kontrollit të Trenave, ndërtimi i një qendre qendrore të kontrollit të trafikut dhe sistemeve të tjera të transferimit të të dhënave. Paralelisht, punimet do të përfshijnë konsolidimin e rreth 54 vendkalimeve në nivel, ndërtimin apo rehabilitimin e nevojshëm të rrjetit rrugor local, si dhe masat zbutëse mjedisore.


Një komponent tjetër i projektit është edhe elektrifikimi që do të përfshijë procesin e elektrifikimit të rreth 120 km të linjës kryesore dhe një numër të kufizuar km të linjave dytësore. Këtu përfshihet lidhja e linjave të trenit me rrjetin e tensionit të lartë 110 kV; ndërtimi i deri tri nënstacioneve, instalimi i sistemit të katenarisë ajrore për furnizimin me energji elektrike me tension 25 kV dhe frekuencë 50 Hz AC, etj.

Kosto totale për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit është 368 milionë euro dhe bashkëfinancohet me kredi të dhëna nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, një granti të Bashkimit Evropian dhe qeverisë shqiptare që do të mbulojë koston e çdo zhvendosjeje të tokës, risistemimin, dhe taksat e nevojshme për të finalizuar projektin.

Material i përgatitur nga portali SCAN TV.