Kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu ka folur sot për emisionin “Breaking” në lidhje me situatën katastrofike që shkaktuan zjarret në zonën e Shëngjinit.


Ai deklaroi se ka dyshime që zjarret janë të qëllimshme, duke nisur nga fakti që katër vatra janë aktivizuar gjatë orëve të vona të natës. Nga ana tjetër, ai reagoi i revoltuar për akuzat e ngritura nga opozita, se zjarret janë vënë me qëllim nga bashkia, për të hapur sheshe ndërtimi.


“Unë nuk jam përfaqësues i organeve të rendit. Nuk është detyra ime. E kam lënë atë detyrë, kam kohë, megjithëse më zien zemra akoma. Unë si ish-efektiv police kam të drejtë të dyshoj për gjithçka, por nuk mund të vë gishtin mbi dikë, kështu që ajo që më kë bërë përshtypje është se menaxhuam 4 zjarre nga ora 2 e natës deri në 4 të mëngjesit. Çuditërisht na u ndezën në 2 të natës, në Tresh, në Dajç të Zadrimës, Rraboshtë, kolsh dhe pastaj në Gjadër disa të tjera më të vogla. Është e çuditshme si agravuan në atë orë të natës disa zjarre. Dyshoj për zjarrëvënie të qëllimshme. Arsyen nuk e di.


Për sheshe ndërtimi? Çfarë i keni këto fantazira, sheshet e ndërtimit bëhen edhe pa djegur pyllin more. Këto janë ca interpretime nga këto që i merrni tek selia e PD dhe i nxirrni në ekran. Nuk kanë lidhje fare. Mund të vihen nga pakujdesia, nga një banor që pastron mbeturinat, nga njerëz që duan të sabotojnë duke djegur pyllin, por kjo e shesheve të ndërtimit është arsyeja më idiote që kam dëgjuar deri më tani. Ndjej neveri për të gjithë ata që ngrenë akuza të tilla. E thashë, kur nuk na ndihmojnë dot, të paktën mos na ngatërrojnë. Nëse dikush ka prova e fakte se këto zjarre janë vendosur nga ne për të hapur sheshe ndërtimi të shkojë ta denoncojë, e të mos rrijë nëpër media.”- tha Ndreu.