Dhjetra hektarë tokë e shkrumbuar dhe drurë pishash të djegura, kanë lënë pas zjarret që u intensifikuan pasditen e djeshme në kurorën e fshatit Mal Shëngjin, të njësisë administrative Shëngjin, të bashkisë Lezhë. Shqiptarja.com dhe Report Tv sjell pamjet si është zgjuar sot Shëngjini.
Ndërhyrja nga ajri me dy avionë Canadair të ardhur nga Italia dhe me helikopter, ka qene e domosdoshme dhe bëri të mundur të vinte nën kontroll intensitetin e flakëve që kishin përfshirë pasditen e djeshme kurorën me pisha në Shëngjin.
Edhe nga pamjet që shikoni në video duken pemë të mëdha pishash të djegura shumë pranë banesave në kodrat e Shëngjinit, duke treguar se nëse nuk do të ishte ndërhyrja nga ajri pasojat mund të ishin edhe më katastrofale. Ka dhe banesa të prekura apo të përshkruara nga zjarret por do të jetë bashkia e lezhës që do të kryejë një monitorim për të bërë publik dhe një bilanc të dëmeve që janë shkaktuar. Ndërkohë dje flakët rrethuan dhe disa resorte turistike në bregdet.
Dy vatrat e medha, ajo e Ranes së Hedhun dhe ajo pranë portit të Shëngjinit sot kanë ulur intensitetin ndërsa po punohet për të parandaluar përhapjen e zjarreve për shkak të erës.
Shërbimi i Emergjencave në Lezhë, informon se forcat zjarrfikëse me 300 efektivë të FA dhe 100 punonjës të Bashkisë vijojnë betejën me vatrat aktive dhe trungje të ndezura ndërkohë era po vazhdon të fryjë e fortë, që favorizon riaktivizimin e vatrave.
Mjetet zjarrëfikëse kanë punuar gjatë gjithë natës duke parandaluar një katastrofë të mundshme.
Qyteti i Shëngjinit si dhe fshati Mal Shëngjin, gjatë gjithë natës është monitoruar nga strukturat e MZSH, 150 efektivë të Forcave të Armatosura e të njësisë administrative, bashkisë, duke fikur shumë vatra zjarri të shfaqura gjatë natës.
Vatrër tjetër aktive është në malin e Kakarriqit, midis fshatit Zojs, njësia admistrative Dajç, Lezhë dhe fshatit Kukul, njësia administrative Bushat, Vau Dejës.
Një vatër zjarri në përfundim është në lagjen Nënë Tereza, ( Kodër Marlekaj), të qyterit të Lezhës, e shfaqur në orët e para të ditës së sotme.