Mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, e planifikuar për ditën e sotme, 31 korrik 2024, është ndërprerë pas nisjes disa minuta pas orës 17:00.


Kryetari i Këshillit Bashkiak, Oltion Luli, hapi mbledhjen duke njoftuar rendin e ditës dhe futjen e dy projektvendimeve të reja të ardhura nga administrata bashkiake. Megjithatë, këshilltarët e Partisë Demokratike, Florian Bjanku, Irena Shestani dhe Eliona Shkrela, reaguan menjëherë duke kërkuar që këto dy projektvendime të mos futen në rendin e ditës, duke theksuar rëndësinë e respektimit të afatit pesë ditor të njoftimit për mbledhjet e këshillit.


Gjithashtu, ata kërkuan praninë e kryebashkiakut Benet Beci, por kryetari Luli sqaroi se për shkak të impenjimeve, kryebashkiaku nuk mund të merrte pjesë, duke theksuar praninë e dy zëvendëskryetarëve, Beka dhe Bejleri, si dhe të drejtorëve të bashkisë.


Zëvendëskryetari Bejleri shpjegoi se projektvendimet ishin futur në rendin e ditës për të ndihmuar familjet e dëmtuara nga zjarret, duke u ofruar mbështetje financiare.

Rendi i ditës u miratua me votat e mazhorancës së këshillit dhe u votua projektvendimi për ndihmën ekonomike prej 6% që jepet nga ky forum. Menjëherë pas kësaj, këshilltarët e PD-së u larguan nga salla, duke shkaktuar ndërprerjen e mbledhjes për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm prej të paktën 26 këshilltarësh.


Pas një ndërprerjeje prej disa minutash, mbledhja rifilloi pasi u arrit kuorumi i nevojshëm. Në vazhdim, u miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës. Partia Socialiste dhe Partia Social Demokrate kanë së bashku 30 vende nga 51 gjithsej në Këshillin Bashkiak të Shkodrës.