Ervin Hoxha ka marr sot detyrën si Ministër i Brendshëm, ku prioritet sipas tij do të jetë reformimi i drejtuesve të Policisë.


Duke e konsideruar udhërrëfyes, dosjen e dorëzimit të detyrës nga Ministri paraardhës, ai shprehu gjithë angazhimin personal e profesional në detyrën e re.

Ministri i ri i Brendshëm u prezantua nga zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në një ceremoni të zhvilluar në Ministrinë e Brendshme, ku morën pjesë zyrtarë e titullarë të institucioneve të varësisë.


Gjatë fjalës së tij, Hoxha listoi shkurtimisht disa prioritete si Ministër i Brendshëm, duke nisur nga reformimi gjithëpërfshirës në zinxhirin drejtues të Policisë së Shtetit, zhvillimin teknologjik për të parandaluar ngjarjet kriminale e rritur sigurinë publike, apo përmirësimin e sjelljes dhe etikën e trupës policore në raport me qytetarët.

Ai tha se një pjesë e konsiderueshme e karrierës së tij lidhet ngushtësisht me detyra në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, fillimisht si punonjës, drejtues e tashmë titullar, çka rrit ndjenjën e përgjegjësisë për këtë detyrë.


“Ligji i ri Policisë së Shtetit do na mundësojë realizimin e një reforme të thellë në një ristrukturim dhe efikasitet për shërbimet e policisë, në kontrollin e territorit”, tha ai.

Ervin Hoxha pason Taulant Ballën në këtë post, pas ndryshimeve të kryera nga kryeministri Edi Rama në kabinetin qeverisës, gjatë Kongresit të Partisë Socialiste.